Vatra aktive zjarresh nga veriu deri në jug të Shqipërisë

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Dy javë që prej nisjes së zjarreve, kjo e hënë duket se pa sjellë një përmirësim të situatës në Shqipëri.

Zjarri në fshatin Dukat i Ri tashmë është vënë nën kontroll, duke mos paraqitur aktualisht rrezikshmëri për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Problem mbetet për momentin një vatër në vendin e quajtur Gropa e Pirit në Karaburun ku janë angazhuar forca të shumta për të mbajtur flakët nën kontroll.

Pa rrezik për banesat janë edhe vatrat në fshatin Thirrë dhe në Munellë-Domgjon të Mirditës. Puna po vijon për mbajtjen nën kontroll edhe të zjarrit mbi tunelin e Kalimashit.

Sakaq, zjarri i rënë dje në pyjet me pisha të Krushovës në Voskopojë është drejt fikjes. Ulja e temperaturave gjate natës ka sjellë rënie të intensitetit të flakëve. Aktualisht ka mbetur aktive vetëm një vatër, pasi të tjerat janë vënë nën kontroll.

Sipas të dhënave paraprake bëhet fjalë për 116 ha që janë përshirë nga flakët. Afro 100 trupa janë duke punuar për vënien në kontroll të flakëve.

Forcat e ndërhyrjes arritën të izolojnë në kohë të shpejtë edhe zjarrin në malin e Tomorrit dhe po monitorojnë disa vatra në fshatin Corrush në Mallakastër, si dhe në fshatin Bogë të Shkodrës.

Një vatër e re zjarri është njoftuar në vendin e quajtur Qafa e Tërkuzit, në pjesën e Malit të Zi, në afërsi të kufirit me Shqipërinë, ku në ndjekje të situatës kanë shkuar menjëherë forcat zjarrfikëse të Kukësit.

Të ngjashme