Në afërsi të Rashkës në Serbi në tokën sipërfaqësore të minierës Kizhevik, kanë vazhduar të mërkurën gërmimet për gjetjen e një varreze të mundëshme masive me mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në ditën e dytë të gërmimeve kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të organeve hetuese serbe, EULEX-it dhe Komisionit për Personat e Zhdukur i cili vepron në kuadër të qeverisë së Kosovës.
Gërmimet në lokalitetin Kishevak të Rashkës filluan që në nëntor të vitit 2015, por të njëjtat u ndërprenë për mungesë të fondeve.
Përfaqësuesi i Komisionit për Personat e Zhdukur i cili vepron në kuadër të qeverisë së Kosovës, Kushtrim Gara, tha se puna e tyre në lokalitet është të mbikëqyrin gërmimet.
“Nga shkaku i familjeve të viktimave duhet të jemi të kujdesshëm në interpretimin e statistikave, për shkak se akoma jemi në fazën e gërmimeve vlerësuese, me konkretisht në kërkimin e vendndodhjes së saktë të varrezave të mundshme masive”, tha ai për të shtuar se vetëm pas gjetjes së varrezës dhe punës së mjekësisë ligjore do të mund të flitet për numrin e saktë të viktimave.
Sipas tij, Kisheviku është njëri nga ato lokacione në Rashkë të cilat ishin nënvizuar nga Kosova si të nevojshme për gërmim, ndërkohë tha se shpreson në përfundim të shpejtë të këtij gërmimi në mënyrë që të mund të vazhdojnë me gërmime të lokacioneve tjera të shënuara.
Në varrezën masive “gurëthyesi” në Rudnicë, komuna e Rashkës, në qershor të vitit 2014, u gjetën eshtrat e të paktën 50 civilëve shqiptarë të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë.
Sipas të dhënave të Prokurorisë serbe, në tre lokacione në Kosovë ka patur varreza primare në Strelishtë, në afërsi të Prozrenit, Janjevë dhe brenda një kompanie të transportit në Prishtinë, ku fillimisht trupat janë varrosur dhe sipas informacioneve të Zyrës së Prokurorit, në vitin 1999 u nxorrën dhe u transferuan në territorin e Serbisë.
Në Kosovë si të zhdukur akoma llogariten së paku 1500 persona, nga të cilët rreth 1000 janë shqiptarë dhe rreth 500 serbë. Fondi për të Drejtën Humanitare (FHP) më mars të këtij viti i dërgoi Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut një raport për situatën në Serbi ku ka theksuar se nuk është bërë mjaftueshëm për gjetjen e personave të zhdukur nga luftërat në ish Jugosllavi.
“Serbia ka deklaruar se gërmimet në vendin Kizhevak pranë Rashkës, të nisura në nëntor të vitit 2015 u ndalën për shkak të fondeve të pamjaftueshme, por nuk japin informacion nëse dhe në çfarë mase përcaktohen fondet buxhetore”, thuhet mes tjerash në raportin e Fondit.