Vazhdojnë migrimet ilegale, në Maqedoni nga fillimi i vitit janë parandaluar 2854 persona

Prishtinë | 04 Nën 2017 | 15:11 | Nga

Në periudhën janar-shtator 2017, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror, janë parandaluar gjithësej 2831 persona”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Që nga fillimi i vitit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin e Republikës së Maqedonisë, janë penguar të paktën 2.854 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Përkundër mbylljes së “Rrugës Ballkanike” të migrantëve, e cila në mars të vitit të kaluar u mbyll zyrtarisht, përpjekjet e paligjshme për të kaluar kufijtë e Ballkanit kanë vazhduar gjë e cila shfaqet edhe përmes statistikave të institucioneve kompetente.

“Në periudhën janar-shtator 2017, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror, janë parandaluar gjithësej 2831 persona”, thonë për AA nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Në këtë shifër nuk janë të përfshirë 23 emigrantët të cilët policia i ka kapur në muajin tetor, në dy raste të ndara në vendkalimin kufitar “Bogorodica”.

Gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Bullgarisë, u zbulua një grup prej 13 migrantëve të paligjshëm nga Iraku, ndërsa një ditë më vonë, gjatë kontrollit të një automjeti të regjistruar në Maqedoni, u gjetën 10 emigrantë, nga të cilët shtatë pakistanezë dhe tre sirianë.

Nëse shtohen këto shifra, atëherë nga fillimi i vitit e deri më sot janë kapur 2854 migrantë.

Mbyllja e “Rrugës Ballkanike”, hapi mundësi për migrim ilegal

Pas mbylljes së “Rrugës Ballkanike”, qendrat për pranim dhe tranzit mbetën pothuajse të zbrazëta.

Nga zyra e UNHCR-së në Shkup, për AA thonë se në territorin e Maqedonisë aktualisht ndodhen 38 refugjatë, nga të cilët 15 në qendrën për pranim në Tabanoc, në afërsi të kufirit verior me Serbinë, tre persona ndodhen në qendrën në Gjevgjeli, 11 persona të tjerë në objektin për strehim të kategorive të prekura (Shtëpia e Sigurtë) në Shkup, ndërsa nëntë të tjerë në akomodim individual.

Pas mbylljes zyrtare të së kësaj rruge, UNHCR dhe organizatat humanitare të cilat ishin përfshirë aktivisht në përballjen me krizën me migrantë, vazhdimisht apelonin te institucionet kompetente se me mbylljen e rrugës nuk do të zgjidhet problemi i migrantëve të cilët do të shndërrohen në preh të trafikantëve.

Përveç kësaj, UNHCR dhe organizatat humanitare në disa raste ngritën shqetësimin për kushtet në të cilat qëndrojnë refugjatët në qendrat për pranim dhe të cilat sipas tyre nuk plotësojnë nevojat për qëndrim më të gjatë, por vetëm afatshkurtër për personat të cilët vijnë nga shtetet e Lindjes së Mesme, të cilët përmes Maqedonisë udhëtonin në Evropën Perëndimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme