Një protestues u vra dhe 21 të tjerë u plagosën në përleshjet e vazhdueshme midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në Bagdad.
Autoritetet spitalore thanë se vdekja e protestuesit ka ndodhur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga plumbat e gomës.
Mbi 340 protestues janë vrarë prejse kanë nisur protestat anti-qeveritare në Irak, më 1 tetor.
Protestuesit, shumica të rinj, kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar, sipas tyre, shërbimet e dobëta publike dhe korrupsionin e lartë.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë dënuar përdorimin e forcës kundër protestuesve paqësorë.
Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë, por niveli i përgjithshëm i varfërisë qëndron në mbi 20 për qind të popullsisë.
Papunësia e të rinjve është 25 për qind – dyfishi i nivelit të përgjithshëm.
Autoritetet, në disa raste, kanë përsëritur se problemet e Irakut nuk mund të zgjidhen brenda natës.