Kosova dënon sulmet ndaj Ambasadës Amerikane në Bagdad

Prishtinë | 03 Jan 2020 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm sulmet e fundit ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bagdad dhe forcave të koalicionit në afërsi të Kirkukut.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës pret nga qeveria irakiane të ofroj sigurinë e nevojshme për misionet diplomatike në Irak, siç parashihet edhe me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Zëvendës/Kryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke dënuar involvimin e grupeve të armatosura të organizatës terroriste Kitaib Hizbollah në sulmet ndaj Ambasadës së SHBA-ve në Bagdad, ftoi që të njëjtit të mbahen përgjegjës për dhunën dhe sulmet terroriste ndaj civilëve dhe forcave paqësore. 

“Qeveria e Irakut ka obligim të veçantë që t’i ndërmarrë të gjithë hapat që të sigurojë paprekshmërinë e hapësirave dhe personelit të misioneve diplomatike dhe të parandalojë interferimin e grupeve që kanë për synim destabilizimin e Irakut dhe rajonit”, ka deklaruar Ministri Pacolli. 

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përkrah sulmet mbrojtëse të ndërmarra nga SHBA-të në Bagdad si reagim ndaj sulmeve të fundit ndaj pronës dhe personelit të Ambasadës Amerikane, me ç’rast humbi jetën gjenerali iranian Qasem Soleimani, drejtues i operacioneve të jashtme të gardës revolucionare të Iranit. 

Republika e Kosovës mbetet anëtare e besueshme e Aleancës Globale Kundër ISIS, dhe do të vazhdojë të jetë e vendosur në përmbushjen e obligimeve të veta, duke dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë e institucioneve të saj për luftë të pakompromis kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit./EO

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme