Derisa po pritet me padurim finalja e Champions League, e cila zhvillohet me 26 maj në Kiev të Ukrainës në mes Real Madrid dhe Liverpool, qysh para disa javësh probleme të mëdha filluan të dalin në pah lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme.
Fillimisht ankesa kishte për ngritjen enorme të çmimeve rreth akomodimit të tifozëve në hotele të ndryshme, ku çmimet u ngritën drastikisht, çka shkaktoi revolt te tifozët, sidomos ata anglez.
Por, pastaj edhe numri i vogël i biletave që ishin ndarë për përkrahësit e të dy skuadrave finaliste, shkaktoi një tjetër pakënaqësi.
I fundit është lajmi lidhur me tifozët e Real Madrid, të cilët në pamundësi për të gjetur akomodim dhe problemeve me transportin, në shenjë revolte 2000 prej tyre, kanë vendosur që t’i kthejnë biletat për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
Megjithëse nga klubi i Real Madrid, këto bileta menjëherë janë futur në listë për t’u shitur tek të interesuarit e tjerë, ka frikë të madhe se me qindra ulëse në stadiumin e Kievit, do të jenë të zbrazëta për finalen e Champions League, çka do të ishte një rast i rrallë në vetvete.
Skuadra e Liverpool, ka kërkuar nga UEFA që numri i ngelur i biletave të kthyera, të shpërndahen për tifozët anglez, por nga UEFA fillimisht kjo nuk po pranohet, pasi ndarja e biletave ishte bërë në mënyrë proporcionale për të dy tifozeritë.
“Reds” kishin në dispozicion 16.626 bileta për këtë ndeshje, të cilat veçse janë shitur, madje edhe me çmime super të larta.
Zyrtari për media te Liverpool, James McKenna, në një intervistë për “Times” deklaroi: “Nëse do të ketë me qindra ulëse të zbrazëta për finalen në Kiev, atëherë kjo do të duhet të ishte një alarm për UEFA-n që të zgjohet nga gjumi dhe të marrë masa, gjë që është dashur ta bëjë edhe më herët me çështjet tjera lidhur me këtë finale.
Problemet e shumta që e kanë përcjell dhe po e përcjellin këtë finale të Champions League, do ta shtyjë UEFA-n që në ardhmen, ta vlerësoj shumë më mirë situatën në çdo aspekt, para se të cakton të zhvillohet finalja në një vend.