Protestuesit anti-qeveritarë kanë dalë edhe të shtunën në rrugët e Hong Kongut për ta kundërshtuar projektligjin për ekstradim dhe për ta kërkuar dorëheqjen e kryetares së këtij rajoni.
Aeroporti dhe hekurudhat janë duke funksionuar normalisht, pavarësisht planit të protestuesve për të organizuar bllokada në transportin publik disa javë me radhë në qytetin e kontrolluar nga Kina.
Autoritetet e kanë larguar urdhrin për ndalim të protestave në aeroport. Ky aeroport ishte mbyllur javën e kaluar pasi protestuesit e bllokuan terminalin kryesor për disa ditë. Si pasojë e kësaj gjendjeje ishin anuluar rreth një mijë fluturime.
Policët e angazhuar për mbajtjen e rendit u panë me maska të zeza në fytyrë, ndonëse nuk dihej nëse ato i kishin vendosur për t’u mbrojtur nga laserët e protestuesve apo për të paralajmëruar përleshje me gaz lotsjellës.
Protestat fillimisht kishin nisur kundër projektligjit për ekstradim të qytetarëve në Kinë, por tashmë ka kërkesa për më shumë demokraci, gjë që nuk po i pëlqen zyrtarëve të Partisë Komuniste në Pekin.
Protestuesit thonë se po e kundërshtojnë shkatërrimin e sistemit “një shtet, dy sisteme”, i cili ia garanton Hong Kongut një nivel të caktuar të autonomisë nga Kina, shkruan “Reuters.