Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Policia në Hong Kong ndërhyri në disa qendra tregtare, duke ndjekur dhe arrestuar disa protestues anti-qeveritarë. Qindra demonstrues bllokuan qendrat për të tërhequr vëmendje në një periudhë kur të gjithë qytetarët dalin për të bërë pazaret e Krishtlindjeve.

Në njërën nga qendrat tregtare në afërsi të kufirit me Kinën, protestues të veshur me të zeza shënuan pesë-mujorin e sulmit të armatosur në një stacion treni ku një grup qëlloi kalimtarët dhe protestuesit me shufra.

Policia është kritikuar se nuk u përgjigj në kohë thirrjeve për ndihmë dhe nuk arrestoi autorët e sulmit. Më vonë policia kreu disa arrestime dhe tha se sulmuesit kanë lidhje me grupe kriminale.

Operaconi i policisë për të shpërndarë protestuesit nga qendrat tregtare nuk kaloi pa dëme materiale, ndërsa dyqanet u mbyllën.

Protestat në Hong Kong kanë hyrë në muajin e shtatë. Demonstruesit kërkojnë hetim të pavarur mbi përdorimin e tepruar të forcës policore. Kërkesë tjetër e protestës është lirimi i të gjithë të arrestuarve dhe demokraci e plotë.

Mbrëmjen e së premtes, policia arrestoi një person që shtiu me pistoletë. Pasi bastisën shtëpinë e tij, policia tha se gjeti një armë automatike. Dyshohet se qëllimi i tij ishte që gjatë protestës të qëllonte policinë për të shkaktuar kaos.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme