Dukuritë negative e kanë përcjellë futbollin kosovar edhe në fundjavën që lamë pas, ende pa u ndalur zhurma e ditëve të fundit që kishte të bëjë me skandale kurdisjesh.
Ndeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Kosovës së Prishtinës, e zhvilluar të shtunën në kuadër të garave të Ligës së Parë, ka sjellë diçka të pazakontë.
Ekipi mysafir, ai i Kosovës (P), pas humbjes prej 2:1, përmes një videoje të publikuar ka pretenduar se drejtori i Flamurtarit, Agim Hasani, e ka ushtruar ndikimin e tij te gjyqtarët për të dhënë penallti për ekipin kuq e zi.
“Sot ndodhi marria e futbollit. Shikonte drejtorin e Flamurtarit, Agim Hasanin, ku rrinte pranë anësorit dhe si ndikonte që të bëjë penallti të paqenë. Aq më keq se loja vetëm kishte përfunduar me gjithë 5 minutat shtesë, ndërsa luhej minuta e 13-të shtesë. I bëjmë thirrje FFK-së: Deri kur më kështu, ose po tërhiqemi të gjitha ekipet e le të luajë veç Flamurtari”, thuhet në ankesën e Kosovës së Prishtinës.
Por, kuqezinjtë kanë mohuar ndikimin e Hasanit te gjyqtarët. Sipas tyre, Hasani nuk ka shkuar te gjyqtari, por te tifozët, prej të cilëve ka kërkuar të mos hidhnin gjësende në fushë.
Ndërsa dhuna është përsëritur sërish në futbollin kosovar. Në ndeshjen e Superligës ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës (2:1), e zhvilluar të shtunën në Obiliq, gjithçka shkoi korrekt në fushë, por jo edhe në tribuna, raporton Zëri.
Zyrtarë të Trepçës, të shoqëruar me pak tifozë të tyre, në pjesën e dytë kishin dalë në tribunën ku ishin “Plisat”, të cilën e bënte më komode dielli që po i binte. Por, në ndërkohë ata u sulmuan fizikisht nga tifozët prishtinas.
Por, ndërhyrja e Policisë e parandaloi më të keqen. “Plisat” thanë se ishin provokuar nga mitrovicasit, andaj u detyruan të ndërhyjnë në atë mënyrë.
“U ulën pranë grupit të ‘Plisave’, disa metra larg nesh. Pa fije respekti e turpi qoheshin dhe i shanin lojtarët tanë, disa metra larg ‘Plisave’. Çka prisnin?! Në momentin që tentuam t’ua tërheqim vërejtjen, pasi që ishin më në moshë, ata na fyen. Aty edhe eskaloi situata dhe rrodhi si rrodhi dhe ndërhyri Policia. Përkundër vullnetit tonë për të mos u kacafytur, shkaku i moshës së tyre, ata edhe në dorën e Policisë tentonin t’i provokonin ‘Plisat’”, kanë theksuar tifozët prishtinas.
Por, këta të fundit janë paralajmëruar nga rivalët e tyre mitrovicas, “Torcidat”.
Tifozët mitrovicas kanë paralajmëruar hakmarrje, duke shkaktuar kështu shqetësime për të ardhmen e futbollit dhe të sportit kosovar.
“Pa vullnetin tonë na është imponuar të mos rrimë duarkryq. U bëjmë me dije organeve kompetente shtetërore, medieve dhe opinionit publik dhe sportiv se që nga sot klubet sportive nga Prishtina, pa marrë parasysh në çfarë disipline sportive garojnë, në Mitrovicë nuk do të jenë të mirëpritura dhe do të kenë pasoja të rënda”, thuhet në reagimin e “Torcidave”.