Vazhdojnë telashet nga Covid-19 për Italinë, tri rajone të tjera futen në “zonë të kuqe”

Prishtinë | 29 Mar 2021 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Kalabria, Toskana dhe Val d’Aosta të hënën u bashkuan me nëntë rajone të tjera/provinca autonome të klasifikuara si zona të kuqe me rrezik të lartë COVID-19, që do të thotë se mbi gjysma e Italisë aktualisht është në bllokim.

Megjithatë, Lazio, rajoni përreth Romës, kthehet nga e kuqja në portokalli me rrezik të mesëm të martën, shkruajnë mediat italiane, përcjell Telegrafi.

Në zonat e kuqe, të gjitha dyqanet që shesin sende jo-thelbësore janë të mbyllura dhe njerëzit mund të dalin jashtë shtëpisë vetëm për punë ose nëse kanë një arsye tjetër të vlefshme.

Për momentin, të gjitha shkollat janë mbyllur edhe në zonat e kuqe edhe pse qeveria ka thënë që nxënësit deri në vitin e parë të shkollës së mesme do të jenë në gjendje të kthehen në shkolla, madje edhe në zonat e kuqe, pas Pashkëve.

Kryeministri Mario Draghi të hënën është duke biseduar me rajonet e Italisë dhe autoritetet e tjera lokale në lidhje me fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme