Vazhdojnë tensionet në Bjellorusi

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Kundërshtarët e presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko po tubohen sërish për protesta në kryeqytetin Minsk për shkak të zgjedhjeve të kontestuara të fundjavës së kaluar.

“Marshi për Lirinë” i planifikuar për të dielën pasdite, po mbahet gjersa tensionet janë në rritje për shkak të dyshimeve në manipulim të votave dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve.

Ndërkohë edhe përkrahësit e Lukashenkos po mbajnë tubimin e tyre në qytet, shkruan BBC.

Raportohet se punonjësit e disa sektorëve shtetërore po detyrohen të marrin pjesë në këtë tubim.

Pavarësisht demonstratave Lukashenko ka thënë se Rusia është pajtuar të ofrojë ndihmë në rast të kërcënimeve të jashtme ushtarake.

Presidenti i Bjellorusisë ka thënë se është i brengosur për shkak të ushtrimeve ushtarake të NATO-s që po mbahen në Poloninë fqinje.

Trazirat shpërthyen pasi që Lukashenko deklaroi fitore në zgjedhjet e javës së kaluar, rezultatet e së cilave janë quajtur të pavlefshme për shkak të manipulimit.

Komisioni Qendror Zgjedhor thotë se Lukashenko, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1994, ka fituar 80.1% të votave, ndërsa kandidatja kryesore e opozitës Svetlana Tikhanovskata vetëm 10.12%.

Por Tikhanosvkaya insiston se aty ku janë numëruar votat ashtu si duhet, ka fituar përkrahje prej 60 deri 70%.

Të ngjashme