Organizata Mjedisore “Let’s Do It Kosova” po vazhdon edhe më tej me aktivitete vetëdijesuese për mbrojtjen e mjedisit, të cilat po konkretizohen me aksione pastrimi nëpër lokacione të ndryshme të vendit.
Vullnetarët e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të realizojnë sot aksion pastrimi në lokacionin “Rruga e vjetër e Shkupit” Veternik, afër Spitalit Amerikan, duke filluar nga ora 10:00.
Aksioni do të realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, kompaninë menaxhuese të deponive në Kosovë dhe Kompaninë e pastrimit ‘VZ’.
Presim që aksionit t’i bashkohen edhe banorët e asaj zone, në mënyrë që ta eliminojmë në tërësi atë deponi ilegale të mbeturinave.
Iniciativa “Let’s Do It Kosova”, njofton të gjithë qytetarët, se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej, prandaj u bëjmë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje.
Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” mund ta ndihmoni duke dërguar mesazhe në operatorët Vala dhe Z-mobile, në numrin “55244”.