Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim Shefin e Njësisë se Monitorimit të EULEX-it, Hubert van Eck Koster dhe Shefen e Shtyllës për Monitorim, Johanna Valenius.
Qëllimi i këtij takimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit të sistemit prokurorial të Kosovës dhe EULEX-it.
Hyseni ka njoftuar përfaqësuesit e EULEX-it me aktivitetet që është duke i realizuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, por edhe me ato që pritet të realizohen deri në fund të këtij viti.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e EULEX-it, kanë njoftuar kryesuesin Hyseni me aktivitetet që Shtylla e Monitorimit brenda këtij institucioni është duke i zhvilluar, ku me theks të veçantë kanë folur për aktivitetet e tyre në monitorimin sistematik dhe tematik të seancave gjyqësore.
Në fund të këtij takimi, të dyja palët kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për vazhdim të komunikimit, koordinimit dhe bashkëpunimit me qëllim të fuqizimit të sistemit prokurorial të Kosovës.