Vazhdon bllokimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Prishtinë | 30 Qer 2018 | 09:56 | Nga

Ndonëse janë gati një vit qëkur Shpend Ahmeti, fitoi edhe një mandat të qeverisjes me Komunën e Prishtinës, që nga marrja e mandatit të dytë, puna në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka hasur në probleme.

Qeverisja në këtë komunë ka thirrur vetëm pesë mbledhje të kuvendit dhe në to nuk është folur asnjëherë për ndonjë projekt konkret ndërsa vetë kryetari i Komunës së Prishtinës ka marrë pjesë vetëm njëherë në mbledhjen e kuvendit, kështu tregon opozita në këtë komunë, shkruan arbresh.info.

Agim Gashi, asamblist nga LDK-ja, ka treguar për Arbresh.info, se bllokimi në punën e Kuvendit Komunal është duke vazhduar, ndërsa shton se problemet dhe përçarjet mes PSD-së, dhe VV-së, po e pengojnë funksionalizimin e kuvendit.

“Si zakonisht kryetari i komunës kur nuk ka gatishmëri më bashkëpuno me kuvendin dhe me u ballafaqua me kuvendit ai e përdor metodën e shantazhit ndaj administratës së kuvendit për seancat e Kuvendit. Kur e panë se në dy seancat e fundit se opozita po domino ne kuvend tash e kanë zgjedh metodën e bojkotimit të seancave ne kemi tento me fol me ta por ata janë të pakontestueshme. Kemi informacione se ishte planifikua mbledhja për politik dhe financa, por ne nuk e dimë kur është planifikua ajo mbledhje. Nuk janë tu e përfill kuvendin, plani i punës për vitin 2018 ende nuk është  miratua shkaku i bllokimit të kuvendit. Deri tash kemi mbajtur 5 seanca por që shumica prej tyre kanë qenë seanca solemne ose të jashtëzakonshme jo të punës. Kryetari i komunës po e blloko kuvendin dhe po e mban kuvendin pezull nënën presionin për mos të trajtuar tema që kanë të bëjnë më qeverisjen e Prishtinës. Ne si opozita nuk e kemi blloku kuvendin por janë qeverisja e Komunës qe nuk po e thërrasin seancat dhe po e neglizhojnë këtë institucion. Kryetari Shpend Ahmeti deri tash ka marrë pjesë vetëm në një seancë edhe ata 15 minuta në asnjë më shumë”.

Edhe Leutrim Retkoceri, nga PDK-ja, thotë për Arbresh.info, se njëra nga arsyet pse është bllokuar e tërë puna në Kuvendin e Prishtinës është mungesa e votave për Shpend Ahmetin. Retkoceri ka paralajmëruar se do të thërrasin një seancë të jashtëzakonshëm për të dalë nga kjo gjendje.

“Bllokimi i kuvendit është tu ndodh që nga fillimi i mandatit, shkaku është debatet dhe përçarja e Vetëvendosjes me PSD-në dhe Shpend Ahmeti tashmë nuk i ka numrat në Kuvend dhe janë bërë një muaj e gjysmë që nuk kemi mbajt seanca të kuvendit. Seancat nuk thirren se nuk i ka numrat në kuvend dhe si një lider i dobët nuk merr vendime për me zhbllokua kuvendin dhe punën e tij. Deri tash janë mbajtur katër seanca të rregullta. Projektet po bllokohen për shkak të mungesës së lidershipit të Shpend Ahmetit dhe po bllokohen edhe shumë punët. Ne nuk do të presim më, por do të kërkojmë nënshkrime për seanca të jashtëzakonshme që Shpendi të japë një shpjegimin për këtë bllokim”, u shpreh Retkoceri.

Por për Nol Nushin nga radhët e PSD-së, nuk është e vërtetë që ka bllokim të kuvendit. Ai  për Arbresh.info, është arsyetuar se seancat janë duke u mbajtur në bazë të rregullores.

“Puna nuk është bllokuar, por më ligj duhet 10 seanca në vit të mbahen dhe ne kemi mbajtur pesë. Nuk e dimë kur do të jetë seanca e radhës dhe ka afate ligjore për këtë. Asamblistët munden më thirr vetë seanca. Nuk e di pse s’po merrShpendi pjesë, por më mirë do të ishte që në seanca të marrin pjesë drejtorët qysh po vinë në vazhdimësi dhe të japin përgjigje për asamblistët. Ne nuk mundemi mi detyrua asamblistët me votua  për projekte që janë në të mirë të Prishtinës”.

Nushi nuk e ka mohuar problemin me Vetëvendosjen, ai thotë se problemi më i madh po qëndron të menaxhimi i ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

“Tash po ka pak probleme me Vetëvendosjen, por nuk besoj që do të bëjnë problem për kalimin e buxhetit kur Shpendi i prezanton projektet që kanë qenë projektet të bëra sa ka qenë Shpendi në Vetëvendosje dhe nëse e bllokojnë funksionimin e kuvendit atëherë arsyeja është vetëm inati politik i Vetëvendosjes.  Problemet më të mëdha po i hasim të ndërmarrjet publike siç është Ndërmarrja Banesore Publike, shkarkimi i drejtorit dhe që Vetëvendosja në bashkëpunim me LDK-në, PDK-në, kanë tentuar të bllokojnë ndërmarrjen vetëm sa për ta ruajtur kryeshefin që është anëtar i Vetëvendosjes kjo është problem. Andaj ne presim që brenda afateve kohore t’i mbajmë seancat e radhës të kuvendit”.

Përçarjen e Vetëvendosjes dhe shkuarja e një pjese të pakënaqur në Partinë Socialdemokrate , duket se kanë prekur më se shumti Komunën e Prishtinës, e cila ka në krye Shpend Ahmetin.

Të ngjashme