Vazhdon migrimi i mijëra familjeve në Siri të cilët kanë ikur nga organizata terroriste DEASH dhe regjimi i Bashar Al Asadit, në kampet në veri të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Përleshjet dhe sulmet intensive ajrore të cilat zhvillohen në rajonet mes pjesës veriore rurale të Hama-s në pjesën qendrore të Sirisë dhe pjesës jugore rurale të Idlibit, shkaktuan migrimin e civilëve në kampet e refugjatëve në afërsi të kufirit me Turqinë.
Organizata terroriste DEASH, në muajin tetor mrri nën kontroll dhjetra rajone të kontrolluara nga opozitarët dhe grupet kundër regjimit në pjesën lindore të Hama-s.
Sipas informacioneve të marra nga burimet në rajon, mijëra familje për shkak të përleshjeve janë strehuar në pjesët jugore të Idlibit, në lagjen Sinxhar si dhe rajone përreth.
Pasi që forcat e regjimit dhe mbështetësit e tyre në 10 ditët e fundit janë duke shënjestruar intensivisht lagjen Sinxhar dhe rajonet përreth me avionët luftarakë, në valën e dytë të migrimit rreth 6.500 familje arritën në kampet e refugjatëve në rajonin kufitar të Idlibit.
Vazhdon migrimi në rajonin e kontrolluar nga opozitarët.
“Njerëzit nga frika ikën duke mos marrë asgjë me vete”
Haxh Abbud nga Hama lindore, në një deklaratë për AA tha se në kamp kanë arritur me familjen e tij ditën e enjte.
Ai theksoi se janë detyruar që të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të organizatës terroriste DEASH dhe regjimit. “Njerëzit nga frika ikën duke mos marrë asgjë me vete. U strehuan në Sinxhar në pjesën jugore të Idlibit”, u shpreh Abbud.
Abbud më tej tha se pasi që DEASH ka konfiskuar rajonin mijëra familje janë larguar nga 120 fshatra. “Erdhëm në kampet në Atme të cilat ishin më të sigurta se ato në Sinxhar. Në një sipërfaqe prej 20 dynymësh qëndrojnë të paktën 300 familje”, tha ai.
Problemi i ngrohjes vazhdon të rritet në kampe
Muhammed el Kasim, një tjetër banor i Hama-s lindore, theksoi se për shkak të motit të ftohtë ballafaqohen me probleme të ngrohjes në tendat ku qëndrojnë.
“Problemi me ngrohjen u shndërrua në një situatë tragjike. Pleqtë, fëmijët dhe gratë shtatzëna përpiqen të ngrohen duke i djegur pjesët e mbetura nga tendat dhe rrobat e dorës së dytë”, tha Muhammedi për AA.
Ndërsa babai i tij Halef El Kasim u bëri thirrje organizatave humanitare për ndihmë. “Thonë se bora do të fillojë pas vitit të ri. Kemi nevojë për tenda, dhoma, naftë, dru dhe qymyr”, u shpreh ai.