Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kërkimi pas raportimit për zhdukjen e viktimës Alush (Vesel) Kastrati, i cili për herë të fundit është parë me datën 07.03.2026 në fshatin Zatriq – Komuna e Rahovecit.
“Menjëherë pas raportimit janë aktivizuar strukturat relevante të Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në drejtim të gjetjes së tij. Në kuadër të këtij operacioni, njësitë policore kanë dalë në terren dhe kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të zgjeruar kërkimi, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth. Në operacionin e kërkimit janë angazhuar: njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri, njësia K9 me qen kërkues. Gjithashtu në këtë operacion janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që kanë ofruar mbështetje në terren. Në këtë iniciativë mbështetje ka ofruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, duke kontribuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit, për të ndihmuar në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur”, njofton policia.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohje dhe falënderim për të gjitha institucionet, ekipet profesionale dhe qytetarët vullnetarë të cilët janë angazhuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë operacion kërkimi, duke treguar solidaritet dhe bashkëpunim në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur.

