Në kuadër të projektit rinor “Unë lexoj” në Qendrën Rinore SHL-Kosova u organizua leximi publik i veprave letrare.
Protagonistë të këtij leximi ishin nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Selajdin Mullabazi-Mici, të cilët lexuan pjesë të zgjedhura nga shkrimtarë të huaj dhe shqiptarë.
Nxënësit shkëputën pjesë nga romani i Xhek Londonit, “Martin Iden”, nga Arturo Perez – Reverte u lexua fragment nga romani “Mbretëresha e Jugut”, nga Veronika Roth, u shkëput një fragment nga romani “Divergjentja”, ndërsa nga shkrimtarja Brunilda Zllami u shkëput një fragment nga romani “Në shpirtin tim bën ftohtë”.
Po ashtu nxënësit prezantuan poezi nga Ismail Kadare dhe krijues të tjerë. Paraqitja artistike e të rinjve ishte mbresëlënëse dhe u kërkua që të vazhdohet me aktivitete të ngjashme artistike.
Ky aktivitet u organizua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me qendrën rinore SHL-Kosova dhe profesorët e Gjuhës shqipe dhe të letërsisë të shkollës së mesme profesionale “Selajdin Mullabazi-Mici”. Aktivitet i ngjashëm do të mbahet edhe të martën e ardhshme me nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme “Xhelal Hajda-Toni”.