Protestuesit s’tërhiqen, mjete piroteknike e forca të shtuara para Kuvendit

Prishtinë | 06 Tet 2026 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët po vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës, ndërsa gjatë protestës janë hedhur edhe mjete piroteknike në drejtim të objektit, raporton Ekonomia Online.

Ndërkohë, protesta po përcillet edhe nga një dron që po fluturon mbi hapësirën ku po qëndrojnë protestuesit. Deri më tani nuk dihet se kujt i përket droni apo kush po e operon atë.

Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit, ndërsa kërkesa e tyre lidhet me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës është ende në mandatin e tij të rregullt dhe se, sipas tij, ligji për Dhomat e Specializuara mund të miratohet sonte në lexim të dytë, raporton Ekonomia Online.

Tahiri ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për manipulim me afatet kushtetuese dhe me Rregulloren e Kuvendit, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë procedurale apo kushtetuese që ligji të votohet.

“Ne kemi një manipulim më herët nga Kryeministri Kurti, duke manipuluar me afatet kushtetuese dhe me rregulloren e Kuvendit. Dhe në këtë rast, me atë kompetencën time si ish-Ministër i Drejtësisë ose si njeri që kam udhëhequr grupin parlamentar dhe i kemi fituar shumë beteja kushtetuese, e them me përgjegjësi të plotë që Kuvendi i Kosovës është në mandatin e saj të plotë, të rregullt edhe në përputhje me Kushtetutën, edhe me rregulloren e Kuvendit, që sonte ta kalojë ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë. Nuk ka të bëjë kjo me shkeljen e rregullores së Kuvendit, nuk ka të bëjë kjo me shkeljen e Kushtetutës, nuk ka të bëjë kjo me shkeljen e ligjeve. Pra, jemi në kohën e duhur kur ligji mund të miratohet që sonte, ka mundur të miratohet edhe dje, pra për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se sheh mungesë vullneti nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje për miratimin e këtij ligji, ndërsa ka paralajmëruar se presioni qytetar do të vazhdojë edhe nëse vendi shkon në zgjedhje.

“Unë e shoh një mungesë vullneti nga Kryeministri Kurti, e shoh një mungesë vullneti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe, në anën tjetër, ju e shihni se sa më shumë po rritet presioni i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mos të mendojë askush që ky presion do të ndalet sonte në orën 12:00, kur Kryeministri Kurti ka vendosur ta çojë vendin në zgjedhje dhe do të mendojë që do të shfryhet kjo kauzë. Kjo veç se do të rritet, angazhimi ynë veç se do të rritet. Nuk do të ketë normalitet në këtë vend dhe nuk do të ketë qetësi politike dhe nuk do të ketë fushatë elektorale normale në rast se ky ligj nuk do të kalojë sonte”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka thënë se nuk mund të ketë, sipas tij, një ballafaqim normal politik me Kurtin nëse ligji nuk miratohet, duke e lidhur këtë çështje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Pra, nuk mundet me pa asnjë ballafaqim normal politik me një kryeministër të tillë, nëse në thelb e cënon shtetësinë tonë, pra e cënon gurthemelin e shtetësisë së Kosovës, e që është vlera më e lartë e këtij vendi, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pra, nuk mund të pranojmë një dënim, një akt, një aktgjykim të tillë çfarë e kemi parë më datën 16 shtator dhe rrjedhimisht ne jemi duke i marrë të gjitha masat si qytetarë në radhë të parë, pastaj si politikanë, në mënyrë që ta sanojmë këtë dëm. Pra, mos të mendojë askush që do të ketë normalitet dhe dikush do të bëjë fushatë të qetë elektorale në rast se ky ligj nuk do të kalojë sonte”, ka thënë Tahiri.

Të ngjashme