Protesta pranë objektit të Qeverisë së Kosovës ka vazhduar deri në orët e vona. Situata është tensionuar, ndërsa Policia ka hedhur gaz lotsjellës e topa uji, raporton Ekonomia Online.
12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare, prej tyre një zyrtar policor, pas përshkallëzimit të dhunës mes forcave të policisë dhe protestuesve të mbledhur rreth ndërtesës së Kuvendit.
Në komunikatë Policia ka thënë se 6 zyrtarë policorë janë lënduar e po ashtu ka marrë informata për 11 protestues të lënduar. Tre persona janë shoqëruar në polici.
Protestuesit bllokuan deputetët duke thënë se nuk do të lejohen të kalojnë pa e miratuar edhe në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Specialen.
Madje deputeti i Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi u kthyer dhunshëm brenda objektit nga protestuesit. Plotësim/ndryshimi i Ligjit për Specialen u votua sot në lexim të parë, por nuk pati dakordim mes Vetëvendosjes dhe PDK-së për t’u votuar edhe në lexim të dytë. PDK-ja tha se kryeministri Albin Kurti ka kushtëzuar votimin në lexim të dytë me zgjedhjen e presidentit. Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

