I ndikuar nga rritja e prodhimit nga vendet anëtare të OPEC-ut dhe nga frika për ngadalësim të rritjes ekonomike që mund të shkaktojë dobësim të kërkesës, çmimi i naftës të mërkurën ka rënë pothuajse në 53 dollarë për fuçi.
Prodhimi në Rusi ka shënuar rekord që nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik. Në anën tjetër, sasia e prodhimit është rritur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irak. Rrjedhimisht, pritet që ky trend i çmimeve të vazhdojë edhe për një kohë të pacaktuar.
Çmimi i naftës kishte filluar të zbresë në vitin 2018, për herë të parë nga viti 2015 pasi blerësit e braktisën tregun për shkak të frikës për rritje të dobët ekonomike. Gjendja aktuale e tregut ka bërë që në vendin e parë të prodhuesve të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndjekura nga Arabia Saudite dhe Rusia, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.