Sot do të vazhdojë sesioni i shtatë i seminarit Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po mbahet në Prishtinë.
Sipas njoftimit për media, gjatë këtij seminari do të diskutohet për parandalimin e radikalizmit dhe luftimit të terrorizmit.
“Rritja e ISIS-it i ka krijuar zonës Euro-Atlantike sfida të ripërtërira, për parandalimin e radikalizmit dhe luftimin e terrorizmit. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar politikat strikte viza vi luftëtarëve të dyshuar të huaj, por më shumë duhet të bëhet për t’i kuptuar motivet e tyre dhe procesin e radikalizmit të tyre. Prandaj është e rëndësishme të bëhet shkëmbimi i ekspertizës dhe praktikave më të mira. Panelistët, pra, do t’i paraqesin pikëpamjet e tyre mbi atë se si duhet trajtuar këtë sfidë në bazë të përvojave në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Në këtë seminar do të flasin edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.
Kjo është dita e tretë e këtij seminari, i cili do të fillojë në orën 9:30.