Qyteti i Prishtinës çdo sezon të dimrit po përballet me shkallë të lartë të ndotjes së ajrit. Për të parandaluar sado pak këtë ndotje Ministria e Mjedisit vitin e kaluar mori vendim që të ndalojë përdorimin e thëngjillit për institucionet publike.
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, bën të ditur për EkonomiaOnline se kanë vendosur që edhe këtë vit të ndalojnë shitjen e thëngjillit si lëndë djegëse, por kësaj radhe në tërë territorin e Kosovës pavarësisht se vitin e kaluar një gjë e tillë ishte ndaluar vetëm në Prishtinë.
“Ajo që kemi ndërmarrë përgjatë këtij viti, janë disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse, për institucionet publike, pastaj e kemi fut në funksion edhe matjen e imitimit të gazrave të veturave në kontroll teknike. Po bëjmë një angazhim më të madh në parandalimin e shitjes së thëngjillit në mënyrë ilegale në rrugët e Prishtinës”, thotë ai.
Ndonëse një vendim i tillë për ndalimin e shitjes së thëngjillit nëpër rrugët e kryeqytetit u mor vitin e kaluar, ai nuk po zbatohet aq shumë, pasi që sipas Matoshit, Kosova nuk ka inspektorë të mjaftueshëm për parandalimin e kësaj dukurie.
“Nuk ka inspektorë të mjaftueshëm, shitjet ilegale jo veç të thëngjillit, veprime ilegale ka gjithandej, shitja e thëngjillit në rrugë është e ndaluar. Kemi marrë vendim të kemi kontroll më të ashpër, njëjtë do vazhdohet edhe këtë vit. U konfiskohet thëngjilli të gjithë atyre që hasin duke shitë në rrugë dhe ndaj tyre fillojnë procedurat e parapara me ligj”, thotë ai.
Ndër vendimet e tjera të cilat, sipas Matoshit u morën në fillim të këtij viti, ka qenë edhe përfitimi i Kosovës nga fondet e IPA-s, gjegjësit direktivave të BE-së që ndërlidhen me fushën e mjedisit, e që përmes këtij projekti pritet ndërrimi i filtrave të termocentralit “Kosova B”.
Ministri Matoshi, thotë se ky projekt ka një ndikim mjaftë pozitiv për vendin dhe qytetarët i cili sipas tij, veç se ka hyrë në fazën fillestare të implementimit.
“Është marrë vendimi që punëtorëve të KEK-ut, mos t’u jepet më thëngjill në formë shpërblimi, ju e dini që janë miratuar fondet e IPA-s për ndërrimin e filtrave për Kosovën B, projekt ky që është në fazat e veta fillestare. Për herë të parë termocentrali do të ketë ndërrim të filtrave, projekt ky që do të ndikojë shumë pozitiv në cilësinë e ajrit, ndërsa ajo që do bëjmë këto ditë, ka të bëjmë me informim më të mirë të qytetarëve, ne pas dy ditësh bashkë me japonezët, do vendosim monitorë nëpër vende të ndryshme në qytetin e Prishtinës, ku do të shfaqen parametrat për cilësinë e ajrit në kohë reale për cilindo qytetarë të Kosovës”, thotë ai.
Ministri në detyrë i Mjedisit, thotë se ajri aktualisht është i favorshëm në të gjithë vendin, përveç komunës së Mitrovicës, e cila ka shënuar një rritje të ndotjes.
“Në bazë të dhënave që i marrim çdo ditë dhe i publikojmë në kohë reale në Kosova Air Quality, ajri për momentin është i mirë në Kosovë, përjashtim po bën komuna e Mitrovicës, ku kemi pasur një ndotje pak më të madhe të ajrit ditëve të fundit, ndërsa sot është vërejtur në hyrje të Prishtinës, se nuk ka qenë shumë i favorshëm ajri, ndërsa në qytet ka qenë i favorshëm”, thotë ai.
Ndotësit kryesorë në Kosovë vazhdojnë të mbeten termocentralet e KEK-ut, veturat, Ferronikeli dhe Sharr Cemi.