Një mjek i Spitalit e Gjilanit ka përfunduar në pranga nën dyshimet për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësorë”. Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan, duke treguar se mjeku me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar për 48-orë, mjekun nga Spitali i Gjilanit, i cili u arrestua mbrëmë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësorë”. Arrestimi i tij ka ardhur si rezultat i denoncimit nga një paciente e reporatit të gjinekologjisë të cilës i ka vdekur foshnja gjatë lindjes.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast ka ndaluar një person, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit i dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh”, ka thënë për Express, zëdhënësja e P.Th. në Gjilan, Liridona Xheladini.
Në ndërkohë drejtori i Spitalit, Arsim Emini ka thënë për Express, se nuk kanë informacione në tërësi se çfarë ka ndodhur në këtë rast.
Ai thotë se i tërë rasti tashmë është në duart e hetuesisë.
“Rasti është tashmë rast policor që po hetohet nga hetuesia dhe informatat që i keni prej hetuesisë i kemi edhe ne nuk kemi informata të tjera. Çdo informatë tjetër do të ishte ndërhyrje në organet e drejtësisë, kështu që nuk kemi informate të tjera. Rasti ka ndodhur mbrëmë dhe nuk kemi ende të gjitha informatat”, ka thënë ai.
Për këtë rast ka raportuar edhe policia e Kosovës. Në njoftimin 24-orësh të policisë është konfirmuar se trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), për obduksion.
“TRAJTIM I PANDËRGJEGJSHËM MJEKËSOR, Spitali Rajonal Gjilan 21.05.2021 – 19:00. Viktima femër kosovare ka informuar se gjatë lindjes në repartin e gjinekologjisë, foshnja e saj ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (doktor) dhe është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.