Vdekja e ikonës së muzikës shqiptare, Konjufca ngushëllon familjen Bogujevci

Prishtinë | 14 Maj 2021 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Kryekuvendari Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar familjen Bogujevci me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Ismet Bogujevci.

“E nderuara familje Bogujevci,

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të artistit tonë të madh, ikonës së muzikës shqiptare, Ismet Bogujevci.Ndarja nga jeta e zërit që e deshëm aq shumë, do ta lë një zbrazëti të pakompensueshme tek të gjithë ne që u rritëm me këngën e tij”.

“Madhështia e tij artistike bëri që Ismet Bogujevci të ishte këngëtar i dashur për shumë breza.
Në vitet e ’80-ta, kohëra të stuhishme të kthesave të mëdha në Kosovë, me artin dhe këngët e tij patriotike, Ismeti ishte frymëzim për popullin tonë liridashës, e sidomos për rininë studentore”.

“Ai nuk do të jetë më i pranishëm fizikisht, por do të mbetet i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.
Ismet Bogujevci do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme artistike, si një rrugë e sigurt e vlerave e shtruar me kujdes e pasion të fortë për brezat e ardhshëm”.

“Bashkëndjejmë dhimbjen e madhe me familjen e nderuar Bogujevci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe mbarë komunitetin artistik. Ngushëllime! – thuhet në telegramin e kryekuvendarit Konjufca, transmeton Klan Kosova.​

Të ngjashme