Vrasje nga pakujdesia. Kjo është hipoteza e krimit për të cilin Prokurori Publik i Udines në Itali po heton vdekjen e Dreni Bajramit, 17-vjeçarit nga Kosova, i cili ra nga dritarja e dhomës së tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi natën mes të dielës dhe të hënës së kaluar. Aktualisht hetimet janë kundër personave ende të paidentifikuar.
17-vjeçari ndërroi jetë pas tre ditë agonie në repartin e terapisë intensive në spital, ku ishte shtruar për shkak të plagëve shumë të rënda që mori.
Kryeprokurori i Udines, Massimo Lia, urdhëroi kryerjen e autopsisë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e vdekjes.
Dreni Bajrami ka rënë nga një lartësi prej pesë metrash nga një dritare e objektit ku ishte strehuar disa muaj më parë.