Vdekjet në QKUK: Analizat e obduksionit dërgohen në njërin nga vendet e BE’së

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 16:47 | Nga

Analizat e autopsisë për tre pacientët të cilët javë më parë kanë ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të dërgohen në njërin nga vendet e BE’së, njofton Gazeta Express.

Mosraportimi i vdekjes së dyshimtë nga ana e QKUK-së për tre pacientët ka vështirësuar punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth procesit të autopsisë. Kjo për arsye se varrimi ka shkaktuar dëmtime dhe kalbëzimi i trupave ka destabilizuar gjendjen për të nxjerrë rezultate të shpejta.

Por, për rezultatin përfundimtar të analizave të obduksionit do të duhet pritur edhe do kohë. Do të jetë njëri nga vendet e Bashkimit Evropian i cili do t’i kryejë analizat për të tre pacientët e vdekur në QKUK më 7 shtator të këtij viti, kanë bërë me dije burime të Gazetës Express brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Vendimi se në cilin shtet do të dërgohen ato, pritet të bëhet i ditur gjatë dy ditëve të ardhshme.

Tri raste të vdekjeve të dyshimta ndodhën ditë më parë në QKUK dhe hetimet lidhur me këto po vazhdojnë. Dyshimet janë hedhur mbi përdorimin e gazit oksidol, por këto akoma nuk janë vërtetuar derisa të bëhen të ditura rezultatet e analizave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme