Vdekjet në vendin e punës, ministri Reçica thotë se do të jenë të pakompromis ndaj shkelësve të ligjit

Prishtinë | 25 Maj 2018 | 13:12 | Nga

Nga janari i këtij viti, gjashtë persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës gjatë ushtrimit të veprimtarisë së punës. Rasti i fundit ndodhi gjatë ditës së djeshme, kur një i ri humbi jetën teksa ishte duke punuar në vendin e tij të punës në Fushë Kosovë.

Në një deklarim për Indeksonline, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha MPMS do të jetë e pakompromis ndaj secilit rast që paraqet shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, të cilat rregullojnë të drejtat e punëtorëve, me theks të veçantë rreth sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Bashkë me Inspektoratin e Punës kemi intensifikuar inspektimet sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Personalisht, në vazhdimësi jam duke vizituar vendpunishte në qytete të ndryshme në vend dhe jam duke u takuar me punëdhënësit dhe punëmarrësit. Po i njoftoj veç e veç për të drejtat dhe obligimet e tyre dhe u kam bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë ligjet në fuqi, në mënyrë që të mos kemi asnjë rast me fatalitet”.

Reçica u bëri thirrje sërish bizneseve dhe punëdhënësve që të respektojnë dispozitat ligjore që përcaktojnë të drejtat e punëtorëve si dhe u bëri thirrje punëmarrësve që të paraqesin secilin rast kur u bëhet shkelje e të drejtave të tyre.

“Ditë më parë ne kemi lansuar fushatën vetdijësuese për sigurinë dhe shëndetin në punë. Jeta, shëndeti dhe siguria e punëtorit tanë është mbi të gjitha. Do të jemi të pakompromis ndaj shkelësve të ligjit”, tha Reçica.

Ministri tregoi edhe për përpjekjet që po bënë MPMS për avancim të të drejtave të punëtorëve dhe rregullim të marrëdhënies së punës ku tha se janë duke punuar në ligjin e ri të punës, koncept dokumenti i të cilit tashmë është dërguar në Qeveri për miratim dhe se ky ligj do të avancojë të drejtat e punëtorëve, përfshi rreth sigurisë dhe shëndetit në punë.

Për më shumë, ministri tha se janë duke punuar fort edhe në fuqizimin e rolit të Inspektoratit të Punës ku parashihet edhe të shtohet numri i inspektorëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme