Ka vdekur të hënën trajneri i suksesshëm i futbollit, Radomir Antiq.
Serbi Antiq ka vdekur moshën 71-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër. Këtë e ka bërë të ditur klubi i dikurshëm i tij, Atletico Madrid.
“Familja e Atletico Madridit është e pikëlluar për vdekjen e Radomir Antiqit, njërit prej trajnerëve legjendarë të klubit tonë. Antiq do të jetojë gjithnjë në zemrat tona. Pusho në paqe”, ka shkruar Altetico Madrid në “Twitter”.
Antiq ka bërë karrierë të madhe në Spanjë. Ka drejtuar skuadrat më të mëdha të këtij vendi. Është njëri prej dy trajnerëve që kanë drejtuar Real Madridin dhe Barcelonën. Por sukseset më të mëdha i ka arritur me Atletico Madridin. Ka fituar La Ligan dhe Kupën e Mbretit në edicionin 1995\96.
Si futbollist ka luajtur në mbrojtje, ndërsa kohën më të gjatë e kaloi te Partizani i Beogradit. Karrierë dukshëm më të gjatë dhe më të suksesshme ka bërë si trajner. Ka drejtuar Real Zaragozan, Real Madridin, Real Oviedon, Atletico Madridin, Barcelonën, Celta Vigon. Ka drejtuar përfaqësuesen e Serbisë nga viti 2008 deri në vitin 2010, ndërsa në dekadën e fundit ka drejtuar dy skuadra në Kinë.
Barcelonën e ka drejtuar në vitin 2003, kurse Real Madridin në fillim të viteve nëntëdhjeta, për afro një vit. Atleticon e ka udhëhequr në tri periudha të ndryshme.