Klinika e Pulmologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se sot në orët e pasdites në këtë klinikë kanë vdekur dy pacientë.
Kështu thuhet në njoftimin për medie të bërë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Pacienti i parë, Xh.R. (1946) nga komuna e Gjilanit, përveç sëmundjeve të tjera, ishte i diagnostikuar edhe me Covid-19. Pacienti i dytë që ka vdekur, I.B.(1949) nga komuna e Prishtinës, në Klinikën e Pulmologjisë është pranuar sot pasdite dhe i është marrë mostra për testim për Covid-19 dhe mbetet të konfirmohet nga laboratori nëse i njëjti kishte edhe Covid-19 apo jo, krahas dy sëmundjeve të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se sot janë regjistruar edhe 47 raste të personave të infektuar me COVID-19, kurse 22 persona janë shëruar.
Me 47 rastet e sotme, numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë shkon në 2,216, kurse deri më sot janë shëruar gjithsej 1,069 persona. Ndërsa janë gjithsej 37 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.