Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, stilisti pionier italian, Nino Cerruti, i cili futi elegancën e rastësishme në modën e meshkujve dhe në yjet e Hollivudit.
Ai vdiq në spitalin Vercelli në rajonin veriperëndimor të Piemontes, ku ishte shtruar për një operacion, raportoi e përditshmja italiane Corriere della Sera në faqen e saj të internetit.
“Një gjigant mes sipërmarrësve italianë na ka lënë”, tha Gilberto Pichetto, zëvendësministër për zhvillimin ekonomik.
Cerruti, i cili krijoi xhaketën e parë të dekonstruktuar në vitet 1970, ishte një nga figurat kryesore në modën e veshjeve të gatshme për meshkuj në shekullin e 20-të, me një pamje njëherësh elegante dhe të relaksuar.
“Unë dua që meshkujt të jenë më të lirë në elegancën e tyre, më elegantë në lirinë e tyre”, tha ai dikur.
Cerruti këmbënguli gjithmonë që të ishte i pari që provonte krijimet e tij, shumë prej të cilave i ruante larg në mullirin e leshit që gjyshi i tij themeloi në qytetin verior të Biellës në 1881.
I lindur në vitin 1930 në Biella, Cerruti ëndërronte të bëhej gazetar. Por pasi babai i tij vdiq kur ai ishte 20 vjeç, ai u detyrua të hiqte dorë nga studimet e filozofisë për të marrë në dorë fabrikën e tekstilit familjar.
Në vitet 1960, ai u takua me Giorgio Armani dhe e punësoi atë si krijues të modës për meshkuj.
Dyshja la një shenjë të thellë në botën e modës, përpara se Armani të dilte me shtëpinë e tij të modës në 1975.