Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se është i bindur që nuk ka politikanë, e as qytetarë të Kosovës, i cili do të pranonte të jepte tokë në këmbim të vizave e as për gjë tjetër.
Mirëpo, ai ka thënë se nëse Komisioni shtetëror për matjen e territorit e ka kryer punën si duhet, marrëveshja për demarkacionin duhet të ratifikohet.
“Jam i bindur që s’ka politikan as qytetar në Republikën e Kosovës që do të jetë pro dhënies së tokës, jo për viza, por për asgjë tjetër. Por, nëse Komisioni e ka kryer punën si duhet, pse mos me u ratifiku marrëveshja. Unë po ju them që nuk e di saktësisht, nuk jam as ekspert i asaj fushe, por njëkohësisht nuk jam as banor i zonës, dhe nuk e di se si është çështja saktësisht, mirëpo komisionet profesionale duhet ta kryejnë këtë punë”, ka thënë Vehapi.
E, sa i përket asaj se a pritet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të ketë prishje të koalicionit pasi që po dëgjohen zëra të tillë, Vehapi ka thënë se nuk dëshiron të flasë për këtë, por vetëm për komunën e Rahovecit.
“Besoj se kjo më shumë iu takon krerëve të partive politike dhe partnerëve të koalicionit me bisedu për këtë çështje. Unë mundem të bisedoj vetëm për koalicionin këtu në komunë që e kemi që po funksionon shumë mirë dhe do të vazhdojë”, ka thënë ai.
Por, se a do të pranojë një koalicion të tillë nëse edhe në zgjedhjet lokale do të jetë përsëri e nevojshme, ai ka thënë se do ta bëjë këtë në të mirë të qytetarëve.
“Patjetër. Koalicionet janë normale sepse duhet çdo herë asambletë ose kuvendet me pasë një numër të mjaftueshëm për të kaluar çështjet me interes për qytetarët. Koalicionet janë normale dhe unë jam ithtar i koalicioneve kur lehtësohet puna edhe punët kryhen më shpejt pa pritje, pa zhurma e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Intervista e plotë me kryetarin Idriz Vehapi publikohet të dielën.