Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune me rastin e 14 Qershorit-Ditës së Çlirimit.
Në urimin e Vehapit thuhet se “kjo datë shënon për në fillimin e një jete të re”.
Ky është urimi i plotë i Vehapit:
Të nderuar qytetarë të Rahovecit,
Data 14 qershor 1999 shënon për ne fillimin e një jete të re. Kjo datë shënon ditën e parë të lirisë në qytetin e Rahovecit!
Gjatë gjithë këtyre viteve, me punën tonë, u treguam këmbëngulës në kërkesën për të ardhme më të mirë, sepse më mirë se kushdo tjetër e dimë vlerën e lirisë, sepse duam një vend të fuqishëm për fëmijët tanë, sepse ne jemi gjeneratat që Kosovën e bëmë një vend të lirë dhe të pavarur, prandaj kemi përgjegjësinë edhe ta zhvillojmë atë!
Nuk do të ndalemi së punuari! Ndërsa, paralelisht me rrugëtimin tonë dhe të brezave që do të vijnë, historia do të bartë nëpër kohë përjetësisht emrat edhe të gjithë atyre që zgjodhën t’ia falin jetën Atdheut!
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
E gëzofshim lirinë brez pas brezi!