Don Lush Gjergji, udhëheqës i klerit katolik në Kosovë, u dyshua se mund të jetë i prekur me coronavirus, pasi vëllai i tij ishte personi i parë në Kosovë, i prekur me Covid 19. Por, pas testit ai doli negativ, e tash edhe vëllai i tij 77 – vjeçar është shëruar.
Rasti i parë me coronavirus në Kosovë u identifikua në Stubëll të Vitisë, ku një 77-vjeçar pas kthimit nga Italia, saktësisht nga Bergamo ku kishte qenë për vizitë, kishte marrë virusin i cili tani ka prekur të gjitha shtetet e botës.
Don Lush Gjergji në një intervistë të shkurtër për EuroNews Albania, ka folur për herë të parë rreth kësaj teme, ku edhe ka treguar se vëllai i tij Mhilli, dhe familja e tij të cilët gjithashtu ishin të prekur tashmë e kanë kaluar këtë sfidë dhe janë mirë me shëndet
“Vëllai im Mhilli pas kthimit nga Italia, nga Bergamo, doli pozitiv me coronavirus. Edhe unë e bëra testin dhe dola negativ. Pas tri javë trajtim, ai u shërua dhe doli negativ. Fatbardhësisht tani edhe familja e tij janë mirë me shëndet”, ka thënë Don Lush Gjergji.
Ai ka folur edhe për fshatin Stubëll, i cili ishte vendbanimi i parë në Kosovë, që u karantinua. Sipas tij, tani edhe Stublla e ka kaluar sfidën, dhe atje më nuk ka raste të reja me coronavirus.