Të shtunën debutoi te Fortuna Duesseldorfi, ndërsa menjëherë të martën do të mungojë për shkak të një lëndimi.
Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, po luan në një vend të ri, ndërsa po përballet me telashe të vjetra. Më 30 janar, Berisha u huazua te skuadra e Bundesligës gjermane, Fortuna Duesseldorf nga Lazio, ndërsa debutoi në kampionatin gjerman menjëherë më 1 shkurt, shkruan sot Koha Ditore.
Ai luajti 77 minuta ndaj Eintracht Frankfurtit, në kuadër të xhiros së 20-të të Bundesligës. Fortuna Duesseldorfi luan të martën (sot) ndaj Kaiserslauternit në kuadër të Kupës së Gjermanisë. Dhe Berisha nuk do të udhëtojë fare për këtë ndeshje.
Këtë e ka bërë të ditur të hënën trajneri i Duesseldorfit, Uwe Roesler. Berisha, sipas trajnerit, ka pësuar një lëndim të vogël, por megjithatë nuk do të jetë në skuadër.
“Valon Berisha ka probleme muskulore dhe do të qëndrojë në shtëpi”, ka theksuar trajneri Roesler në konferencën për shtyp.