Vendimet që i marrin personat zyrtarë që janë me pozitë ushtrues detyre mund të kontestohen nga institucionet juridike dhe të konsiderohen antiligjore, sipas Ligjit Për Zyrtarët Publik.
Çdo vendimmarrje e tyre brenda këtyre institucioneve që mbajnë pozita “ushtrues detyre”, përkatësisht zëvendësues, po konsiderohen të paligjshme nga opozita dhe avokatët. Sipas tyre, kjo specifikohet nga Ligji NR.08/L-197 Për Zyrtarët Publik, Kapitulli III, Neni 35, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë për Ekonomia Online se të gjithë zyrtarët që mbajnë pozita si “ushtrues detyre”, janë jofunksionalë për shkak të Ligjit Për Zyrtarët Publik.
“Tashmë kjo është kthyer në dukuri në shkeljen e ligjit, ligj të cilin para një viti vet kjo Qeveri dhe kjo mazhorancë e ka votuar. Ligji është i qartë kapitulli 3, neni 35, pika një deri në pesë e definon qartë pozicionin e ushtruesve të detyrës. Nga dje kemi me dhjetëra e dhjetëra, deri në qindra pozicione ku personalitete të caktuara të agjencive të pavarura, funksione të larta të shtetit, shefa të departamentesh, udhëheqës të njësive të caktuara janë jashtë detyrës zyrtare ligjërisht. Praktikisht ata po kryejnë funksionet e tyre por çdo vendim dhe akt i tyre i nxjerrë gjatë kësaj faze është në kundërshtim të plotë me ligjin. Është e habitshme se si Qeveria, ligjet që i ka sjellë vetë, i ka miratuar vetë, tani ka filluar në mënyrë flagrante t’i shkelë”, ka thënë Shala, teksa ka përmendur dikasteret që sipas tij janë duke e shkelur Ligjin.
Sipas tij, kjo sjellë rezultate jo të mira në administratë dhe kanë penalizime juridike, pasi sipas tij çdo akt i nxjerrë në këtë fazë mund të kontestohet juridikisht.
“Shkeljet janë të natyrës shumë të rëndë juridike dhe pozicionet që mbajnë më shumë se sa një vit si ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në rregullatorë siç është KPMM-ja, kemi pozicionin e drejtorit, kryeinspektorit, kemi shefe të agjensioneve në Ministrinë e Mjedisit dhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe në shumë dikastere të tjerë shtetërorë. Pra, një dukuri e këtillë, praktikë ë këtillë e shkeljes së ligjit, do të thotë definitivisht nuk do duhej të ndodhë dhe nuk i duhet institucioneve të vendit. Kjo sjellë rezultate jo të mira në administratë, kjo sjellë penalizime juridike sepse çdo akt i nxjerrë në këtë fazë mund të kontestohet dhe juridikisht është i paligjshëm, andaj bëj thirrje si deputet si kryetar i Komisionit për Ekonomi, që urgjentisht të ndërpriten këto praktika dhe të filloj së zbatuari ligji”, u shpreh Shala.
Ndërsa avokati Ardian Bajraktari ka sqaruar për Ekonomia Online se deri kur një pozitë e tillë mund të mbetet me “ushtrues detyre”. Ka thënë se ky pozicion është i përkohshëm, andaj e sheh të nevojshme plotësimin e vendit të punës. Në të kundërtën, deklaron se përbën shkelje të nenit 35 të Ligjit për Zyrtarë Publik.
“Një pjesë shumë e madhe e funksioneve të rëndësishme në organizata shtetërore, përkatësisht niveli i lartë drejtues dhe siç njihen sekretarë të përgjithshëm ose kryeshefa të agjencive ekzekutive janë një përqindje relativisht e lartë me ushtrues detyre, dhe kjo për administratën e shtetit nuk është nuk është në rregull sepse pozicioni i ushtruesit të detyrës është një pozicion i përkohshëm dhe si i tillë menjëherë pas lirimit të opozitës duhet të merren veprimet adekuate për plotësimin e vendit të punës dhe për më tepër vazhdimi i ushtrimit të funksionit me ushtrues detyre më shumë se 6 muaj përkatësisht një vite dhe çfarëdo varianti të nenit 35 të ligjit për zyrtarë publik është shkelje e ligjit”, u shpreh ai.
Bajraktari thekson se kjo çështje është me vonesë dhe në lidhje me këtë vendim do të duhej të merrej veprime më përpara siç e përcakton ligji. Sipas tij, çdo vendim tyre është i jashtëligjshëm.
“Institucionet do të duhej të merrnin veprime shumë më përpara në drejtim të plotësimit të këtyre pozitave të lira sepse do duhej të bënin një veprim të tillë ngase kështu i obligon ligji. Ajo që ne kemi parë është që tek një numër i konsiderueshëm i ministrive siç është Ministria e Punëve të Brendshme ose Ministria e Financave Punëve dhe Transfereve kur kemi pasur funksionim të disa ministrive, vazhdon versionin më të butë për faktin se akoma nuk janë bërë sistematizimet e vendeve të punës në kuadër të këtyre institucioneve, prandaj kësaj çështje tashmë është në vonesë dhe çdo ushtrim i veprimtarisë nga ana e ushtruesve të detyrës para datës 25 shtator të këtij viti ku bëhen edhe një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, në bindjen time çdo veprim dhe vendimi tyre është i jashtëligjshëm në kuptim të nenit 35 të ligjit për zyrtarë publik”, shtoi Bajraktari.