Në mbledhjen e komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, pati përplasje mes anëtarëve dhe kryetarit të këtij komisionit, Nait Hasani.
Ky i fundit mori vendimin mbylljen e mbledhjes së komisionit.
Kundërshtime pati nga deputetja Shqipe Pantina, e cila akuzoi Hasanin se po merr vendime vetëm ai.
“Nuk është hera e parë që merr vendime kry në veti, si me KPM. Kjo nuk është ndërhyrje në komision”, tha Pantina, raporton Ekonomia Online.
Më pas mediat u larguan me kërkesën e Hasanit, gjë për të cilën reagoi deputeti Milaim Zeka.
“Ishte gabim trashanik me i nxjerrë mediat jashtë. E dyta thirrja e bordit, pa e zgjedhë drejtorin. Kjo është ndërhyrje direkte ne punën e bordit. Kjo është e njëjta që ka bërë më Art Motion, veprime që janë të padrejta. Loja politikë që po bëhet brenda parlament e ka blloku ligjin për RTK. Mënyrën qysh po e menaxhojnë po donë me thënë që ju badihava konkursi është kriter diskriminues”, tha Zeka.
Edhe deputeti Valon Ramadani, e ka quajtur veprimin e kryetarin e komisionit si arbitrar, pasi sipas tij vetëm kur janë çështjet e ndjeshme, mediat largohen, mirëpo në këtë rast nuk ishte një çështje e tillë.
“E pash që ke një vendim arbitrar. Nuk mendoj që është forma e mirë. Derisa e diskutuam nuk besoj që ka qenë shumë e ndejshme ajo”, tha Ramadani, raporton EO.