Futbollistët e përfaqësueses U-17 të Kosovës do të bëjnë rrugë më të shkurtër për të luajtur ndeshjet e raundit elitë të kualifikimeve për “Euro 2019”. Kosova bën pjesë në grupin 5, ndeshjet e të cilit grup është caktuar fillimisht të luhen në Benidorm të Spanjës.
Por Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka vendosur të shtunën që ndeshjet të luhen në Nyon të Zvicrës, ku edhe është selia e UEFA-s.
Vendimi i UEFA-s u mor për t’i dalë në mbrojtje përfaqësueses së Kosovës. Spanja, që nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk ka pranuar që Kosova të paraqitet me simbole shtetërore në turneun që është dashur të mbahet prej 20 deri më 26 mars, shkruan sot Koha Ditore.
Për të siguruar trajtim të barabartë për të gjitha përfaqësueset, UEFA e ka zhvendosur turneun e Grupit 5 për në Zvicër dhe ndeshjet do të luhen prej 25 deri më 31 mars. Në grup me Kosovën e Spanjën janë edhe Ukraina e Greqia, dy vende të tjera që nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Madje Ukraina deri më tani nuk ka lejuar fare hyrjen e sportistëve kosovarë në këtë vend.