Në LDK edhe sot do të diskutohet se a do ta përkrahin apo jo Vjosa Osmanin për presidente, pas takimit që është mbajtur dje në kryesi të partisë e që ka zgjatur disa orë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot do të takojë grupin parlamentar të partisë me të cilët do të diskutojë për çështjen e presidentit, dhe më pas përfundimisht do të vendosin nëse do ta japin votën apo jo për Vjosa Osmanin për presidente.
Është nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili dje pas takimit të Kryesisë e cila zgjati rreth tre orë bëri të ditur se Abdixhiku takon sot deputetët e partisë ku edhe do të merret vendimi për presidentin.
“Kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër (sot) do të takohen me grupin e deputetëve që pjesëmarrja në seancë të jetë në frymën kushtetuese dhe duke krijuar frymë dhe angazhim dhe stabilitet politik në këtë vend. Ne do të punojmë që të dalim unanim, na duhet si çdo herë që veprimi jonë i përbashkët të jetë arma jonë politike”, deklaroi Haziri.