Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut urdhëroi Shqipërinë të mos zbatojë urdhrin për sekuestrimin e pajisjeve elektronike të Lapsi.al, duke pranuar ankimimin e gazetarëve të Lapsit me urgjencë.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi të urdhërojë Shqipërinë të mos zbatojë vendimin kontrovers të gjyqtares Iliriana Olldashi për sekuestrimin e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike të gazetarëve te Lapsi.al, në një masë pezullimi që është përdorur rrallë dhe në raste ekstreme nga kjo gjykatë, bëri të ditur avokati Dorian Matlija.
Gjykata njoftoi Matlijan përmes postës elektronike për vendimin, pasi ai dorëzoi kërkesën për llogari të gazetarëve të Lapsi.al, të cilët kanë apeluar vendimin e Olldashit.
“Më 21 prill 2021, Gjykata (gjyqtari në detyrë), vendosi, në interes të palëve dhe të kryerjes së përshtatshme të procesit para saj, t’i tregojë Qeverisë së Shqipërisë nën Rregullin 39 se autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit nr. 131, dt. 18 Prill të Gjykatës së Shkallës së Parë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit për sekuestrimin e pajisjeve të magazinimit të të dhënave dhe kompjuterëve/të dhënave elektronike që i përkasin aplikantit”, shkruhet në letër.
Matlija i tha BIRN se vendime të tilla merren nga Gjykata e Strasburgut vetëm në rrethana ekstreme kur rrezikohet jeta apo të drejtat shumë thelbësore në mënyrë të rëndë dhe të pariparueshme.
“Në dijeninë tonë, ky është vetëm rasti i dytë që Gjykata jep një vendim të tillë për çështje të lirisë së shprehjes. E para më 2018 kundër Ukrainës dhe e dyta kjo sot,” tha Matlija.
SPAK çuditi ekspertët e lirisë së shprehjes kur të dielën pranoi një kërkesë të prokurorisë për sekuestrimin e pajimeve të gazetarëve, si pjesë e hetimit për databazën masive që supozohet se i përket Partisë Socialiste, në të cilën mbahen të dhëna personale të të gjithë votuesve të Tiranës. Lapsi.al publikoi fillimisht lajmin për ekzistencën e databazës, e cila më pas rrodhi në internet deri sa u bë një sekret që e dinë të gjithë.
Megjithatë, pavarësisht se databaza qarkullon në internet, SPAK kërkoi ta merrte atë dhe burimin se nga kishte rënë në duart e gazetarëve, duke e kërkuar te Lapsi.al. Drejtuesit e Lapsit, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku refuzuan me qëllim që të mbronin burimin e tyre të informacionit.
E drejta Evropiane i jep të drejtë gazetarëve të mos tregojnë burimin e një informacioni para prokurorëve apo gjykatës dhe i kërkon autoriteteve të ezaurojnë të gjitha mjetet e disponueshme hetimore para se të pretendojnë të kenë akses te të dhënat e gazetarëve.