Në parkun e lagjes Kalabria është vendosur kamera e parë monitoruese, duke shënuar nisjen e procesit të shtrirjes së sistemit të monitorimit edhe në parqe dhe hapësira të tjera publike në kryeqytet.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Hapësirave Publike dhe Parqeve, qëllimi i këtij projekti është rritja e sigurisë për qytetarët, parandalimi i dëmtimit të lodrave dhe pajisjeve në parqe, si dhe ruajtja më e mirë e hapësirave publike.
Drejtoria ka bërë të ditur se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave dhe drejtorin Lulzim Fushtica, me synimin që parqet e kryeqytetit të jenë hapësira sa më të sigurta për qytetarët.
“Hap pas hapi, monitorimi do të zgjerohet edhe në parqe të tjera”, thuhet në njoftim, ndërsa sistemi do të mundësojë mbikëqyrje 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, nga Policia e Kosovës.

