Venecia e rrëzon Albulena Haxhiun nga provimi, mal me vërejtje për Byronë

Prishtinë | 22 Qer 2022 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, para katër ditësh kishin thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për media, pa treguar fillimisht arsyen pse. Megjithatë pak para se të niste, u bë me dije se konferenca ishte thirrur meqë Komisioni i Vencias ka dalë me opinione për punën e procesi të “Vettingut” dhe Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Të dy në konferencë folën për atë se si Komisioni i Vencias e ka dhënë dritën e gjelbër për këto procese, por pa treguar vërejtjet, sidomos për punën e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, vërejtje të cilat konstatojnë se në mënyrën se si është hartuar draft-ligji për themelimin e Byrosë është i pazbatueshëm.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dërguar në Komision të Venecias draftin për themelimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu. Në konkluzionet e publikuara në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, renditen një varg vërejtjesh për draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë.

Në pikën 70 të Opinionit të Venecias, që i përket pjesës së konkluzioneve, thuhet se pavarësisht qëllimit të justifikuar për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, procedurat e konfiskimit civil pa bazë dënimi duhet të hartohen dhe implementohen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe gjithashtu duke marrë parasysh edhe standardet Evropiane që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, shkruan Gazeta Express.

“Një qasje e tillë mund të jetë një mjet i vlefshëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të parandaluar shfrytëzimin e fondeve të fituara në mënyrë të paligjshme dhe për të parandaluar përdorimin e fondeve të tilla për veprimtari të mëtejshme kriminale. Në kontekstin e Kosovës, një masë e tillë mund të jetë e rëndësishme për sigurimin e bazës për zhvillimin ekonomik në vend. Në të njëjtën kohë, Komisioni i Venecias rikujton megjithatë se, pavarësisht nga qëllimi i tyre i justifikuar, procedurat e konfiskimit civil pa bazë dënimi duhet të hartohen dhe zbatohen në përputhje me Kushtetutën kombëtare, e cila përfshin zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe duke marrë parasysh standardet evropiane në lidhje me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Tutje në pikën tjetër të këtij opinioni, Komisioni i Venecias thotë se raportuesit të cilët i kanë, kanë treguar dhe kanë argumentuar se numri i vogël i konfiskimeve të kryera deri tani në Kosovë, mund të shpjegohet kryesisht me zbatimin e gabuar të ligjit aktual dhe jo me mangësinë e legjislacionit.

“Komisioni i Venecias thekson se legjislacioni i ri i propozuar i vetëm nuk mund të pritet të zgjidhë të gjitha problemet e korrupsionit dhe duhet të përfshihet në një qasje më të gjerë e cila do të përfshijë një sërë masash praktike që synojnë rritjen e efektivitetit të sistemit të zbatimit të ligjit”, thuhet në pikën dy të konkluzioneve.

Në pikën tjetër, Komisioni i Venecias madje ngrit dyshimet se krijimi i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme mund të komplikojë edhe më shumë sistemin, në të cilin përfshihen një sërë organesh tjera si policia, prokuroria, Agjencia Tatimore, autoritetet e Doganës dhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

“Në çdo rast, duket qartë se sistemi i ri i verifikimit dhe konfiskimit duhet të kombinohet në një farë mënyre me sistemin ekzistues të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, i cili është në duart e Agjencisë Kundër Korrupsionit”, potencon Komisioni i Venecias.

Gjithashtu, në pikën tjetër në vijim thuhet “Për më tepër, duhet theksuar se një legjislacion i tillë i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut siç propozohet në projektligj është i pranueshëm vetëm nëse ndërtohet mbi një mekanizëm të pavarur me të gjitha fuqitë dhe burimet e nevojshme për të luftuar efektivisht kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimt të organizuar. Projekt-dispozitat aktuale janë të pamjaftueshme në këtë drejtim”.

Në pikën 74 të opinionit thuhet se Projektligji në formulimin aktual paraqet nëj numër të mangësive dhe që zbatimi i tij mund të rezultojë në shkelje të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konvetën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Si rezultat i kësaj, Komisioni i Vencias i ka bërë disa rekomandime kryesore, ku përmes 7 pikave kërkon nga Ministria e Drejtësisë që fillimisht të bëj një forumlim preciz dhe shterues të qëllimit dhe intereave të përgjithshme e publike. Në pikën dy, Komisioni i Vencias rekomandon një rishyqrtim të nevojës dhe dobisë për krijimin e një organi të ri siç është Byroja, dhe gjithashtu “sigurimin e garancive të forta të pavarësisë së Byrosë, sigurimin e Byrosë me staf të mjaftueshëm të personelit të specializuar dhe me kompetenca të duhura”.

Përveç detajve më lartë, Venecia ka kërkuar të përcaktohet saktë se “në çfarë kushtesh dhe sipas çfarë kriteresh Byroja duhet të mbledhë informacionin sipas detyrës zyrtare përpara se të fillojë procedurën zyrtare të verifikimit, në cilat kushte mund dhe duhet të nisë procedura e verifikimit dheprioritetet për punën e Byrosë, duke siguruar që Byroja të fokusohet në rastet e profilit të lartë”.

Tutje Komisioni i Venecias kërkon vendosjen e garancive më të forta për të drejtat e njeriut që do të jetë palë në proces dhe persoanve të tjerë. Pos kësaj, Venecia thekson se duhet specifikuar se vendimi për fillimin e procedurës së verifikimit të paktën t’i komunikohet palës në procedurë dhe t’i nënshtrohet mjetit juridik, sigurimin që deklaratat e bëra dhe dokumentet e ofruara detyrimisht nga pala në procedurë civile nuk mund të përdoren kundër saj në një proces penal, qartësim se familjarët e palës synohen vetëm si “persona të tretë”.

“Rishikimin e – 19 – dispozitës CDL-AD(2022)014 që personat fizikë dhe juridikë mund të detyrohen nga gjykata të bashkëpunojnë me Byronë;, rregullimin se si identifikohen “të tretët që kanë interes juridik” dhe cilat janë të drejtat e tyre në procedurën e verifikimit dhe konfiskimit, sigurimin që personat e përfshirë nga konfiskimi të mos privohen nga të gjitha pasuritë dhe garantimin e kompensimit të dëmeve të pësuar nga një palë në rast të një procedure konfiskimi përfundimisht të pasuksesshme”, thuhet në pikën pesë të rekomandimeve.

Derisa pika 6 dhe e fundit rekomandon” vendosjen e një pragu adekuat të provave për masat e përkohshme të sigurisë dhe duke bërë të qartë se masat e tilla mund të ndërmerren sipas procedurës civile edhe nëse janë nisur hetimet penale”.

Dokument

Të ngjashme