Shtetësia e Kosovës dhe çështjet ekonomike e sociale, janë ndikuar nga konflikti i ngrirë në veri, statusi i pavendosur dhe sovraniteti i kundërshtuar dhe marrëdhëniet e paqarta me Shqipërinë. Pavarësisht retorikës zyrtare për demokracinë multietnike, shqiptarët e Kosovës dhe serbët po jetojnë të ndarë në linja etnike, shkruan Daniel Heler, në një koment për European Western Balkans, të cilin e transmetoi TCH.
Kosova përfaqëson një eksperiment të politikës ndërkombëtare, kur dallimet lindje-perëndim shfaqen që prej 1999-ës. Ndaj nuk vjen si surprizë që Rusia është përfaqësuar aty në terma simbolikë. Kremlini kryesisht mbështet qëndrimin serb, duke marrë mbështetjen e serbëve të Kosovës, opinionit publik e elitës politike në përgjithësi.
Ndjenjat pro ruse janë më të gjalla jashtë Serbisë, te serbët e Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës. Ndoshta një nga popullatat më rusofile në Ballkan mund të gjendet në veriun e Kosovës, ose thënë në mënyrë të përgjithësuar, mes serbëve të Kosovës. Si një shembull shërben historia: trupat ruse u pritën me lule nga serbët vendorë në 1999-ën, kur arritën atje.
Në vitet e fundit, vihet re një dëshirë në rritje e spektrit politik në veri që të vendosë kontakte direkte me strukturat qeveritare ose pothuajse joqeveritare dhe anasjelltas. Partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, ‘Srpska lista’ (Lista serbe), duket se është e lidhur fort me partinë qeverisëse ruse, Rusia e Bashkuar. Gjithashtu, zyrtarë të lartë rusë kanë shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen për Listën në zgjedhjet lokale e parlamentare.
Kisha Orthodokse Serbe (KOS) përfaqëson një tjetër faktor ndikues pro rus, në aspektin fetar dhe kulturor, por që respektohet edhe nga institucioni etno-kombëtar. KOS mban lidhje ekskluzive me homologët në Rusi, për shkak të orthodoksisë. Kundërshtimi i kishës ukrainase, e bëri KOS palë me Moskën.
Media e kontrolluar nga shteti dhe ajo ruse mbeten burimet kryesore të informacionit për serbët e Kosovës. Kryesisht kanalet përcjellin një sjellje negative ndaj Perëndimit dhe prezantojnë Rusinë si një alternativë.
Nuk është çudi që Asociacioni i Komunave Serbe, e parashikuar nga Marrëveshja e Brukselit në 2013, shihet nga shqiptarët e Kosovës si një “kalë Troje” serbo-rus, i krahasueshëm me rolin e Republika Srpska në Bosnje. Është interesante se si një parti si Lista, që komandohet nga Aleksandar Vučić, është partner i kolaicionit të ish komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.
Duhet patur parasysh se serbët e Kosovës, jo vetëm në very, nuk janë konsultuar kurrë për çështjet e rëndësishme politike, pasi vendimet merren në Uashington, Bruksel, Berlin, Beograd, Prishtinë, etj. Në fakt, mund të shohim një mungesë demokracie për të vendosur për të ardhmen e tyre. Kur vjen puna te vendimi nëse duhet të jetë një minoritet në një Shqipëri komb-shtet armiqësor dhe një nga vendet më të varfra të Europes, apo të jetë pjesë e një Serbie në zhvillim, ku përkasin sipas logjikës etno-kombëtare, serbët e Kosovës duhet të zgjedhin këtë të fundit.
Tek e fundit, mbështetja popullore për “opsionin lindor” mes shumë serbëve te Kosovës nuk është çudi, pasi ata luftuan kundër NATO-s dhe forcave perëndimore, që ende shihen si pushtues të atdheut të tyre. Një rrugë e përshtatshme për zgjidhen e mosmarrëveshjeve mund të jetë edhe dëgjimi i zërit të atyre që deri më tani janë injoruar nga Beogradi e Prishtina, si dhe nga fuqitë e mëdha. Dhënia e një autonomie të zgjeruar serbëve të Kosovës, mund të jetë një gjë e vogël, por duke marrë parasysh kuptimin simbolik të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, është një kontribut i rëndësishëm për uljen e domosdoshme të gjakrave në Europë.