Emërtimi që francezët ia kishin vënë urës, e cila ndan qytetin e Mitrovicës, 20 vjet më parë, ka dalë të mos jetë rastësi.
Ura mbi lumin Ibër apo, siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve, shkruan sot “Koha Ditore”. Jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme.
Spiralja disavjeçare e dhunës përreth urës është ndalur. Por beteja politike për hapjen e saj nuk ka përfunduar. Jostabiliteti politik, incidentet ndëretnike dhe krimi i organizuar konsiderohen rreziqet më të mëdha për sigurinë në veri të Kosovës.
Ndërsa besimi tek institucionet dhe politikanët është në rënie, vërehet rritje e besimit ndëretnik midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo reflektohet në kontaktet më të shpeshta, si dhe përvojat e përbashkëta nga të dyja anët.