Përfaqësuesit politikë të serbëve të veriut të Kosovës kanë paralajmëruar kthim në ilegalitet, duke shkëputur çfarëdo komunikimi me autoritetet e Prishtinës zyrtare. Dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore janë konsideruar qëllimkëqija që kanë për synim rikthimin e tensioneve në veri, shkruan sot “Koha Ditore”.
Derisa veriorët të cytur nga Beogradi kanë arsyetuar dorëheqjet duke akuzuar Prishtinën zyrtare se po tenton ta marrë veriun, Qeveria nuk është deklaruar ende për zhvillimet në veri. Po ashtu nuk dihet nëse dorëheqjet e proklamuara janë deponuar tek autoritetet qendrore.
Ditën kur në jug të Ibrit u festua 28 Nëntori me flamuj kombëtar, në veri të Mitrovicës kanë vazhduar protestat e serbëve në kundërshtim të taksës së vendosur nga Qeveria ndaj mallrave serbe.
“Dëshirojmë paqe dhe qetësi”, “Kemi të drejtë në bukë”, “Nuk kemi ilaçe”, “Stop dhunës nga Prishtina”, kanë qenë parullat që mbanin në duar protestuesit, të prirë nga eksponentë të Listës Serbe.
Një ditë më herët, kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe, Mitrovica e veriut, Zveçani, Zubin-Potoku dhe Leposaviqi, dhanë dorëheqje duke ndërprerë raportet me Prishtinën zyrtare.
Dorëheqje deponuan edhe prokurorët dhe gjyqtarët serbë të integruar së voni në sistemin e drejtësisë të Kosovës, shumë vite pasi kishin ndarë drejtësi për llogari të Serbisë. Lëvizjet e veriorëve që shkojnë në drejtim të kundërt të angazhimeve të deritashme për integrim nuk e kanë vënë në lëvizje Qeverinë e Kosovës. Një qëndrim zyrtar ka munguar edhe nga kryeministri Haradinaj.