Si pasojë e reshjeve të borës dhe shiut në Komunën e Podujevës ka pasur vërshime në disa zona.
Për të parë nga afër gjendjen e krijuar, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorët e drejtorive përkatëse kanë vizituar pjesën e qytetit te Lagja “Shala” dhe “Tovërlanët” ku si pasojë e ngushtimit të shtratit të përroskës dhe daljes së saj nën rrugën magjistrale uji ka vërshuar.
Sipas njoftimit, në këtë zonë që nga mëngjesi ekipi emergjent i komunës dhe kompania e angazhuar ka intervenuar në hapjen shtratit të përroskës.
“Gjithashtu kryetari Bulliqi ka vizituar edhe Lagjen “Kërtokët”, ku përroska që kalon andej ka dalë nga shtrati. Gjatë vizitës në teren kryetari Bulliqi tha se Komuna e Podujevës, ashtu si edhe para dy javësh, ka angazhuar të gjitha kapacitetet për t’u dalë në ndihmë banorëve në zonat që preken nga vërshimet. Shtabin Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilin e udhëheq nënkryetarja, Marigona Lahu, do të jetë vazhdimisht i mobilizuar me qëllim të koordinimit ndërinstitucional dhe veprimeve të përbashkëta, konform situatës së krijuar”, thuhet në njoftim.