Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë seancës solemne për nder të 9-vjetorit të Pavarësisë, ka thënë se 17 Shkurti është një Datë e Madhe, është Data më e madhe në Historinë e Popullit Tonë, është data që ndanë epokat, që i jep kuptim të kaluarës sonë dhe të ardhmes që kemi përpara.
“Në këtë ditë feste e gëzimi, ne kthejmë shikimin nga e kaluara, për të nderuar kujtimin e burrave dhe grave të Kosovës, që për një shekull rresht, nuk kursyen mundin dhe jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë”.
Fjalimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në seancën solemne për nder të 9-vjetorit të pavarësisë
“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës,
I nderuari Isa Mustafa, Kryeministër i Qeverisë së Kosovës,
Të nderuar ministra,
Të nderuar ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës,
Ambasadorë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delavie,
E nderuara zonja Apostolova, përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Kosovë,
Të nderuar mysafirë që jeni sot me ne,
I nderuari Kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama,
Të nderuar përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj.
Jemi mbledhur në këtë seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës në nderim të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
17 shkurti është një Datë e Madhe, është Data më e madhe në Historinë e Popullit Tonë, është data që ndanë epokat, që i jep kuptim të kaluarës sonë dhe të ardhmes që kemi përpara.
Në këtë ditë feste e gëzimi, ne kthejmë shikimin nga e kaluara, për të nderuar kujtimin e burrave dhe grave të Kosovës, që për një shekull rresht, nuk kursyen mundin dhe jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë.
Ata ishin luftëtarë të Isa Boletinit, të Azem Bejtës, të Hasan Prishtinës e Shaban Polluzhës, që nuk u dorëzuan kurrë para shovinizmit dhe brutalitetit të pushtuesit.
Ata ishin intelektualë e veprimtarë që ndoqën rrugën dhe vizionin e Adem Demaçit e Metush Krasniqit.
Ata ishin studentët trima të vitit 68, 81, 89, 90.
Ata ishin akademikët, arsimtarët, mjekët, studentët, minatorët e fermerët që mbajtën mbi supet e tyre vitet e rënda të rezistencës paqësore.
Ata ishin djemtë dhe vajzat më të mira të Kosovës që u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta kthyer në realitet ëndrrën e gjatë për liri.
Ishte diaspora jonë e palodhur, që asnjëherë nuk e braktisi atdheun.
I përjetshëm do të jetë nderimi për ta,
ashtu si do të jetë i përjetshëm shteti ynë i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës.
Në këtë ditë feste dhe gëzimi, bashkë me të gjithë qytetarët e Kosovës, ne shprehim nderimin dhe mirënjohjen për botën demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkimit Evropian. Shqipërinë, dhe shtetet mike gjithandej botës.
Janë këto shtete që mirëkuptuan dhe mbështetën në mënyrë vendimtare kauzën tonë të drejtë për liri, pavarësi dhe shtet.
E krijuar në kohë të vështira, aleanca e vendit tonë me këto shtete, për ne, mbetet vlerë kombëtare, vizion gjeostrategjik dhe identitet civilizues.
E tillë do të mbetet përgjithmonë.
Ne kemi qenë, jemi dhe përgjithmonë do të mbesim vend evropian.
Me trup dhe shpirt.
Me mendje dhe zemër.
Në këtë ditë feste e gëzimi, ne si përfaqësues të popullit duhet të bëjmë bilancin e punëve tona.
A jemi duke bërë atë që presin qytetarët nga ne?
A jemi duke ecur në drejtim e duhur?
Çfarë po ndodhë me ekonominë tonë?
Janë këto pyetje që shprehin brengat më të mëdha të qytetarëve tanë dhe ne jemi këtu për t’u dhënë përgjigje dhe zgjidhje.
Nuk kemi punë tjetër, dhe nuk ka nderë më të madh se sa të zgjedhësh për t’i shërbyer atdheut.
Në 9 vjet të ekzistencës së tij, shteti ynë, Republika e Kosovës, ka shënuar të arritura vendimtare dhe do të ishte e pandershme t’i mohojmë apo nënvlerësojmë ato.
Shteti ynë qëndron fuqishëm në orientimin e tij perëndimor, në identitet dhe vlera.
113 shtete e kanë njohur sovranitetin tonë dhe kjo nuk është pak kur kemi parasysh rrethanat e një bashkësie ndërkombëtare shumë komplekse dhe me plot kontradikta.
Njohjet e shtetit tonë do të vazhdojnë.
Rruga jonë drejt OKB-së dhe anëtarësimit në organizatat tjera ndërkombëtare është e pandalshme.
Tanimë jemi pjesë e shtëpisë botërore të futbollit, UEFA-s, ndërsa sportistët tanë janë duke shkelqyer në garat sportive ndërkombëtare.
Majlinda Kelmendi e ka ngritur lart flamurin e Kosovës.
Ajo na kë bërë krenarë të gjithëve, duke i dëshmuar botës potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë dhe rinia jonë.
Në anën tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës është gati që të marrë rolin e saj të domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe globale.
Kosova do t’i kontribuojë paqes dhe sigurisë globale kudo që kërkohet nga ne.
Tanimë këtë e kemi dëshmuar duke qenë pjesë aktive dhe efektive e koalicionit global kundër terrorizmit.
Ne kemi vizionin e qartë për t’u bërë anëtarë të NATO-s, organizatës më të madhe të sigurisë dhe rendit demokratik në botë.
Ne do të jemi në NATO.
Për këtë kemi garancinë e plotë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vizitën e fundit që kisha në Pentagon, pashë vullnetin e vendosur të aleatëve tanë amerikanë për të mbështetur procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Ushtria është element bazik i një shteti, prandaj ashtu sikurse shtetin e Kosovës e kemi ndërtuar në koordinim me aleatët tanë, njejtë duhet të veprojmë edhe me Ushtrinë e Kosovës.
Në planin e brendshëm, të gjithë treguesit, flasin për një konsolidim të vlerësuar të sistemit institucional, demokracisë, sundimit të ligjit, efikasitetit të administratës publike dhe thellim të reformave në drejtësi.
Arritja e Marrëveshjes se Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian, përmbushja e të gjitha kritereve teknike për marrjen e liberalizimit të vizave, janë tregues të qartë pozitiv.
Por, kemi ende shumë për të bërë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e klimës investive në vend, orientimin kah rinia, investimet në inovacion, në teknologjinë informative, në industrinë prodhuese dhe punësim.
Do të veprojmë përmes politikave afirmative që do të ngrisin imazhin e vendit në botën e jashtme dhe komunikimin më të mirë politik brenda.
Është koha për një qasje të re mes nesh.
Kjo do të thotë të kemi më shumë afërsi me njëri-tjetrin dhe më shumë besim tek të tjerët.
Më shumë përkushtim dhe përgjegjësi për vendin dhe qytetarët.
Të punojmë në një agjendë të përbashkët që ka në epiqendër zhvillimin ekonomik të vendit.
Të marrim së bashku përgjegjësitë dhe vendimet e duhura për vendin dhe qytetarët.
Të gjejmë rrugët që fëmijët dhe të rinjët tanë të kenë shkollim më të mire.
Më shumë vende pune,
më shumë mirëqenie dhe shërbime shëndetësore më efikase për familjet tona.
Ky është atdheu i tyre dhe ne kemi obligim t’ua lëmë në dorë gjeneratave që vijnë një shtet krenar, me identitet të qartë dhe të zhvilluar.
Republika e Kosovës ka perspektivë të sigurtë zhvillimore dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ne jemi shtet i qëndrueshëm, ne besojmë te vetja, te miqtë dhe tek Zoti.
E ardhmja është në duart tona.
Urime dita e pavarësisë të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Lavdi dëshmorëve të kombit”.