Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Kosovë.
Kryetari Veseli i informoi ata me punën e Kuvendit, duke theksuar se ajo është intensifikuar, në veçanti në çështje që ndërlidhen me agjendën evropiane. Ai përmendi disa nga projektligjet që ndërlidhen me këtë agjendë, që janë miratuar në Kuvend por edhe tjerë që pritet të miratohen në seancat në vazhdim.
Sa i përket zhvillimeve tjera, në veçanti për marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, kryeparlamentari Veseli shprehi edhe njëherë qëndrimin e tij se kjo marrëveshje duhet të kalojë, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave.
“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Gjithsesi, unë besoj se duhet të ketë një konsensus të plotë për këtë marrëveshje”, theksoi ai.
Por kryetari Veseli theksoi se edhe Bashkimi Evropian duhet të veproj shpejt dhe qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli ka diskutuar me ambasadorët e vendeve të Bashkimit evropian për përkushtimin e tij për intensifikimin më të madh të punës së Kuvendit për të përmbushur agjendën legjislative në rrugën drejt integrimeve evropiane.