Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka qëndruar të shtunën në Krushë Madhe ku mori pjesë në festën tradicionale të vjeljes së perimeve “Agrofesta”.
I shoqëruar nga kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, kreu i PDK-së ka takuar qindra banorë të Krushës me të cilët ka diskutuar për rendimentet bujqësore dhe nevojën për rritjen e subvencioneve për fermerët.
Veseli tha se banorët e Krushës janë shembulli më i mirë se si me punë e vullnet mund të arrihen suksese, si dhe zhvillimi ekonomik e punësimi.
Ai tha se banorët e Krushës, i madh e i vogël gjatë gjithë ditës punojnë tokat e tyre duke arritur të kultivojnë perime që konsumohen nga gjithë qytetarët e vendit.
“Një ditë e veçantë sot në Krushën e Madhe, ku pata kënaqësi t’u bashkohem qytetarëve për ‘Agrofestën’. Banorët e këtij vendi kanë qenë shembull edhe në luftë, ndërsa në liri janë modeli më i mirë se si me vullnet e punë kanë arritur të bëhen kultivues modernë të shumë produkteve. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin edhe më tej ata që ia dalin me sukses dhe hapin vende të reja pune”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.