Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka takuar dhjetëra të rinj të Kamenicës që i janë bashkuar PDK-së në kauzën e kreut të saj për luftën kundër korrupsionit dhe hapjen e perspektivës për të rinjtë brenda Kosovës.
Gjatë takimit me të rinjtë e Kamenicës, lideri i PDK-së tha se qytetarët e kësaj komune u mashtruan para dy vitesh nga Lëvizja Vetëvendosje me premtime boshe ndërsa tani e njëjta politikë ka nisur mbylljen e shumë shkollave duke ua pamundësuar qytetarëve të jetojnë në vendlindjen e tyre.
Ai tha se mbyllja e shkollave nuk duhet të ndodhë, përkundrazi ai tha se qytetarët e Kamenicës duhet të mbështeten edhe më shumë për të qëndruar në vendlindjen e tyre.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Veseli ka thënë se vetëm PDK-ja ka guxim dhe vendosmëri për ta bërë ndryshimin që e presin qytetarët, për ta luftuar korrupsionin dhe për t’iu krijuar mundësi të rinjve brenda Kosovës.
Statusi i plotë i Kadri Veselit:
Një tjetër tubim me dhjetëra të rinj e të reja të Kamenicës, që i janë bashkuar Partisë Demokratike, sepse besojnë se partia jonë ka kurajon që të luftojë korrupsionin e të krijojë mundësi për ta brenda Kosovës.
Unë, me mbështetjen e tyre, do të bëj çmos që t’i jap fund largimit të të rinjve jashtë vendit. Po ashtu, për ne është interes strategjik që shkollat dhe shërbimet publike të jenë sa më afër qytetarëve në zonat kufitare siç është rasti i Kamenicës, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të lëvizin nga vendlindja dhe pronat e tyre.
Vetëm PDK-ja ka guxim dhe vendosmëri për ta bërë ndryshimin që e presin qytetarët, për ta luftuar korrupsionin dhe për t’iu krijuar mundësi të rinjve brenda Kosovës. Ne do të punojmë që të ndërtojmë një ekonomi të zhvilluar, ku do të ketë mirëqenie për të gjithë qytetarët, kudo që ata jetojnë.