Veseli: Çdo shkollë është shtyllë e shtetit

Prishtinë | 28 Sht 2016 | 16:37 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, në Mitrovicë.

Gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli potencoi rëndësinë e krijimit të kushteve sa më të mira në sektorin e arsimit, si dhe të rritjes së kualitetit në këtë fushë, si bazamenti kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryetari Veseli theksoi se arsimi është tejet i rëndësishëm, jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e të rinjve tanë, familjeve të tyre dhe shtetit të Kosovës. Ai tha se është detyrë e nxënësve të mësojnë më shumë, ndërsa e institucioneve të bëjnë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë.

Në vazhdim, kreu i Kuvendit theksoi rëndësinë e shkollës së mesme të mjekësisë, reputacionin dhe kuadrin tejet të respektuar të saj në nivel vendi.

“Kjo shkollë me reputacion të jashtëzakonshëm, krijoi kuadro të respektuar jo vetëm për shëndetësinë e Mitrovicës, por për gjithë Kosovën”, theksoi kryetari Veseli.

Ai më tej rekomandoi që të rinjtë të jenë të përkushtuar për arsimim, ngase, shtoi kryetari Veseli, të arsimuarit janë bartësit e përgjegjësive të zhvillimit të shtetit.

“Çdo shkollë është shtyllë e shtetit. Me aftësimin tuaj, ju do t’u shërbeni qytetarëve, shëndetësisë dhe atdheut, Kosovës tonë të dashur”, theksoi kryetari Veseli.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, me këtë rast, theksoi rëndësinë e ndërtimit të objekteve të reja shkollore për nxënësit, por edhe për mësimdhënësit e komunitetin.

“Nuk ka moment më të mirë se sa të marrësh pjesë në përurimin e një shkolle kaq të bukur, t’u mundësosh nxënësve një arsim sa më të mirë, një arsim cilësor”, u shpreh Ministri.

Ministri Bajrami theksoi se të gjithë jemi krenarë me këtë shkollë, nga e cila kanë dalë individë dhe intelektualë të dalluar që dhanë kontribut të çmuar edhe në kohë të vështira në shtetndërtimin e Kosovës.

“Si mësimdhënës duhet të punojmë që kjo shkollë me traditë të përgatisë nxënës të shkëlqyeshëm dhe të jetë lidere në Kosovë sa i përket cilësisë dhe përgatitjes së kuadrove”, tha ministri Bajrami.

Në vazhdim, Ministri tha se sot së bashku po e kremtojmë 70 vjetorin e shkollës, por në një objekt të ri dhe modern. “Mirëpo, ndërtimi i një shkolle është vetëm gjysma e punës dhe pjesa tjetër na mbetet neve dhe mësimdhënësve që të angazhohemi maksimalisht për t’iu ofruar nxënësve tanë një arsim modern, një arsim cilësor”, tha ministri Bajrami.

Në prerjen e shiritit të kësaj shkolle, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

unnamed (1) unnamed (2) unnamed (3)

Të ngjashme